Është naive me mendua që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka nominue Vjosa Osmanin për kryeministre për ti fitua zgjedhjet. Ky nominim është bërë për ti djegë figurat pretendente për të parin e partisë, dhe këto lojëra në politikë bëhen zakonisht nga figura që thirren në themelim të partisë.
Shkruan: Ardian AZEMI
Në krejt këtë muhabet, fitues doli Isa Mustafa; u bë kryetar i partisë me votë, dhe iu tha qe merreni se unë nuk jam fort mirë me shëndet, dhe kjo nënkupton se Isa zgjedhet me votë, ndërsa të tjerët munden me marrë drejtimin e partisë veç kur ai ia jep, assesi përmes garës së brendshme.
Deklarata e të nominuares për kryeministre, Vjosa Osmani, se është shkolluar tërë jetën për këtë ditë, ndërsa kishte veç nominim, për mendimin tim, shënon fundin e rrugëtimit të saj drejt kryeministrisë. Imagjinoni, nominimi paraqet kulmin e pritjeve të politikanëve të caktuar. Për gjynah, bash të plotet mendja me lobua ditë e natë veç me ia mundësua të ngjitet shkallëve të objektit shumëkatësh. Njëherë bre e lëshon shpirti.
Pra, mundësia që Vjosa të bëhet kryeministre e Republikës, është thuajse zero, sepse nuk e ka përkrahjen e partisë, dhe është e pakuptimtë të priten vota dikah tjetër nëse figura të rëndësishme në parti nuk të përkrahin.
Në krejt këtë pshtjellim, pas Isës, fituesi i dytë del Lutfi Haziri. Pas zgjedhjeve, në mbledhjen e parë të partisë ku bëhet analiza mbi zgjedhjet, Luta thotë; ky proces zgjedhor ishte i rëndësishëm për Kosovën, dhe votuesi i tregoi vendin secilit nga ne. Dijeni ku e qet gurin Luta. Me të drejt, sigurisht.
Aspak nuk tregohemi të kthjelltë në kokë nëse mendojme se edhe Albin Kurti do ti ngjitet shkallëve të shumëkatëshit në Prishtinë. As me ashensor jo, në përjashtim të ndonjë takimi me kryeministrin e Kosovës.
Nëse analizojmë deklaratat e dy partive politike rrethë një koalicioni të mundshëm, e shohim se janë aq larg për tu afruar. Mund të ndodh gjithçka, mirëpo pa dashur t’ua imponoj medimin tim, gatishmërinë e tyre për koalicionin mes tyre e shoh si një strategji të menduar mirë deri në detajin e fundit për ti ikë pushtetit.
VV dhe Albin Kurti, e dinë farë mirë se të qenit në pushtet në këto rrethana, duke e ditë saktë çfarë tema e presin Kosovën, jo vetëm që elektorati i kthehet kundër në njëqind ditëshin e parë, por i bëhen armiq. Kur pritjet janë të mëdha, zhgënjimi shënon kulmin. Prandaj, Albini meçëm deklaron se jo domosdoshmërisht duhet të jem unë kryeministër. Pra, publikisht përcjell mesazhin se nuk është këmbëngulës për pozitën e kryeminitrit, ndërsa ka një koordinim të shkëlqyer në subjektin e tij për mos lëshuar pe. Kjo bëhen për të vetmin qëllim; sa më larg mundësisë për ta marrë pushtetin.
Përgjatë këtij njëzetë vjeçari të qeverisjes në Kosovë, nuk kemi pas shansin të dëgjojmë hajgare më të pa skrupullta se këto që PDK po i bënë me qytetarët. Mbi një dekadë në qeverisje të vendit, parti e cila bashkë me LDK-në e kanë instaluar korrupsionin, nepotizmin, kapjen e drejtësisë, e arsimit, e organeve të sigurisë, e ndërmarrjeve publike, dhe të zotohen se do të jenë të pa kompromis në raport me këto dukuri, për mua paraqet fyerjen më të madhe që iu bëhet qytetarëve. As një fëmijë dy vjeç nuk e beson këtë zotim, mos të flasim për të tjerët që të paktën nënshkrim dijnë të japin.
Sinqerisht, pa dashur të jem subjektiv, sepse jemi në një situatë kur secili nga ne, me apo pa ngjyra politike, të shohim përtej sojit tonë, dmth përtej partive që i përkasim.
Kosova është me një situatë e cila na thërret urgjentë të vendosim se si e duam të ardhmen tonë; të luhatshme, të nënshtruar dhe ndikuar përjetësisht nga Serbia, apo një Kosovë sovrane, të pa cenueshme, serioze në raport me shtetet e fuqishme mike, të barabartë në raport me Serbinë karshi botës, dhe të integruar.
Është në dorën tonë kjo. Adresat dihen qartë, e jona është ta përkrahim ofertën e cila e mbanë Kosovën ne binarët e një shteti normal dhe të qëndrueshëm në tërësinë e saj.