Shkruan: Florim Zeqa
Shqetësimi nga shkrimi im paraprak, për rastin e montuar të zotit Haradinaj, mos vallë në këtë lojë të koordinuar mes Serbisë dhe Francës, është implikuar edhe ndonjëri nga liderët shtetëror të Kosovës, me qëllim të menjanimit të pengesës më të madhe (Haradinajt) në realizimin e projekteve shtetshkatërruese të Kosovës, siq janë; cenimi i rendit kushtetues në vend, tkurrja territoriale e vendit dhe ndarja e sovranitetit të shtetit në dysh-mes serbëve dhe shqiptarëve,…për fatin e keq doli të jetë i saktë.
Këtë më së miri e vërtetoi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila edhe një herë shpërfaqi politikën disfatiste të qeveritarëve tanë në raport me Serbinë.
Mosvotimi i Rezolutës, përveqse një zhgënjim i madh, është edhe një thyerje e madhe shpirtërore e qytetarëve në të zgjedhurit e tyre. Mosvotimi i Rezolutës për lirimin e mënjëhershëm të Ramush Haradinajt, me kushtin themeltar për pezullimin e bisedimeve deri në lirimin e tij, përveqse është votë PRO Serbisë, kësaj të fundit i lë derën hapur për të vazhduar gjuetinë e saj ndaj çlirimtarëve dhe veprimtarëve më të devotshëm, përfshirë edhe qytetarët e zakont që mbështesin pavarësinë e plotë të Kosovës nga Serbia.
Edhe pse më pak se një muaj na ndanë për të hyrë në vitin e dhjetë të rishpalljes së pavarësisë së shtetit tonë nga Serbia, ne akoma nuk po mund dëshmohemi se jemi të zotët të ecim me këmbët tona!
Aq pak jemi “rritur” dhe konsoliduar si shtet, sa që gjithnjë dhe për çdogjë kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve. Partitë politike, gjegjësisht liderët partiak assesi të vetëdijësohen dhe ndërgjegjësohen për dëmin që janë duke i shkaktuar shtetit dhe qytetarëve me keqqeverisjen, papërgjegjësinë politike, mentalitetin totalitar qeverisës, me kapjen e shtetit përmes sistemit të instaluar korruptiv dhe kriminal në të gjitha nivelet.
Ky virus kancerogjen i qeverisjes i ka kapur të gjitha partitë në pushtet dhe opozitë, si pushtetin qendror ashtu edhe atë lokal pa përjashtim.
Në këtë situatë të rënduar politike, qytetarët e heshtur dhe të fjetur të vendit tonë të gjitha shpresat për ndryshim i kanë përqendruar tek bashkësia ndërkombëtare, respektivisht tek ambasadoret e shteteve të Quintit, e në veqanti tek ambasadori amerikan dhe përfaqësuesi i BE-së per t’na “shpëtuar” shtetin nga kusarët politik vendor, duke instaluar sundimin e ligjit në vend të sundimtarëve mbi ligjin.
Kjo çasje e gabuar qytetare, vetëm sa mund ta rëndojë akoma më shumë situatën. Nuk është thënë kot; “Vullneti i popullit është vullnet edhe i zotit!”
Nëse kthehemi në retrospektivë vetëm një vit më parë do të bindemi në këtë thënje. Në vlugun e protestave gjithëpopullore, kur vendi ishte në prag të ndryshimit të madh politik në vend, ndodhi ajo që më së paku i duhej vendit, ndodhi thyerja e bllokut opozitar në njërën anë dhe dhunimi i vullnetit qytetar nga pushtetarët.
Luftimi i “mortajes” kriminale duhet të jetë prioritet dhe objektiv qytetar deri në largimin e të inkriminuarit të fundit nga pushteti.
Unifikimi i popullatës në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive tjera negative, pa dyshim se do të gjejë edhe mbështetjen ndërkombëtare.
Të mos i krijojmë vetës iluzionin dhe as të presim që ndërkombëtarët të bëjnë më shumë se sa ne për Kosovën. Varësisht sa ne i imponohemi bashkësisë ndërkombëtare, aq do të kemi mbështetjen e saj dhe e kundërta, për aq sa ne heshtim para të keqës, do të injorohemi dhe përbuzemi nga ana e tyre.
Secili e do vendin dhe popullin e vet, të mos presim që ndërkombëtarët ta duan Kosovën më shumë se ne. Miqësia në politikë duhet të jetë reciproke, në të kundërtën kthehet në tradhëti dhe armiqësi me pasoja afatgjata.
Nuk e di a ka degradim më të madh të institucioneve të shtetit dhe mallkim për vendin, kur në legjislativin e vendit nuk arrinë të votohet një Rezolutë e propozuar nga vet pushtetarët aktual (PDK-LDK)!
Kjo do të thotë që e ardhmja e shtetit është në rrezik të madh, ngase shteti përbëhet nga institucionet e kapura nga individët e korruptuar dhe kriminalizuar deri në fyt.
Rrënues të shtetit në asnjë rrethanë nuk mund të jenë qytetarët që kërkojnë liri të levizjes, zhvillim ekonomik të shtetit, arsim cilësor dhe drejtësi të barabart (jo selektive) për të gjithë qytetarët.
Në fakt rrënuesit më të mëdhenjë të institucioneve shtetërore janë shndrruar bartësit e tyre, me paaftësinë dhe papërgjegjësinë qeverisëse.
Me seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, Kosova është gjunjëzuar edhe një herë para Serbisë, si pasojë e deputetëve servil ndaj liderëve të korruptuar partiak dhe të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve të vendit të vet.
Ramush Haradinaj përveqse viktimë e pazareve politike të Brukselit, nga seanca e jashtëzakonshme e kuvendit, pavarësisht faktit nëse do lirohet apo jo, bashkatdhetari ynë, qytetari i Kosovës i prangosur në Francë, është viktimë edhe e deputetëve që nuk votuan Rezolutën për lirimin e tij.
Kjo është një e vërtetë e hidhur dhe vështirë e kapërdishme për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka nga vetja e tyre për lirinë e Kosovës.
Këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj me një thënje të Paulo Coelho: “Të presesh është e dhimbshme, edhe të harrosh është e dhimbshme, por të mos dish se çfarë vëndimesh të marrësh kjo është një nga vuajtjet më të mëdha”.