/Nexhat Rexha: DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE – SHB BEQIR MUSLIU; Gjilan, 2019/
Autori veprues dhe i frytshëm, Nexhat Rexha vijon t`i sjellë letërsisë shqipe një mori vëllimesh poetike e diskursesh letrare kritike. Poezia e tij u përfaqësua edhe me publikime në gjuhë të huaja, si në gjuhën rumune, në atë angleze, u përfshi në antologji poetike të kulturave të tjera, si në suedisht, në rumanisht dhe vazhdon të komunikojë me lexuesit e hapësirës shqiptare.
Shkruan: Mehmetali Rexhepi:
Titulli i librit, të cilit meriton t`i qasemi, “Duke kërkuar hijen tënde”, sugjeron poetikën vepruese të kërkimit në të djeshmen e të sotmen e qenies etnike dhe njerëzore. Çfarë kërkon poeti me vargun e tij? Vargu nuk mund të jetë histori, as kronikë ndodhish e ngjarjesh, mirëpo, gjithnjë bëmave të historisë u sprovua shpirti njerëzor, drama kombëtare e poetit. Poeti shkëputi diçka nga galopi i të djeshmes dhe nga kodet mashtruese e lakmuese të së sotmes, që i hasim të trajtuara në vargjet e tij, si ndjeshmëri artistike, si reflektime poetike e manifestime jetësore, (j)etike dhe estetike.
Vëllimin poetik “Duke kërkuar hijen tënde”, autori e strukturoi brenda tre ciklesh: “Si t`ia kthej atdheut buzëqeshjen”, “Mbi qepalla të atdheut” dhe “Në gërshetin e kësaj vjeshte.”
Dy ciklet zotëruese të librit “Si t`ia kthej atdheut buzëqeshjen” dhe “Mbi qepalla të atdheut”, poeti shpërfaq tematikën, rrjedhimisht motivet e motivimin mbi konceptin gjithëpërfshirës atdhe; si dhe trajta ndjeshmërie e urtësie, të cilat burojnë e rrjedhin herë si fije kujtese, herë si ortekë shqetësimi, si dhimbje e përhershme, si vetëdije e urtësisë për të papriturat dhe të priturat e kanosjeve etnisë, për trajtat e përsëritura të tragjedisë mbi kurrizin plagë-shumë të etnisë dhe të qytetërimit.
Siç shihet e ndjehet gjatë leximit të kujdesshëm, dy përbërës thelbësorë i përshkojnë brengat poetike të kësaj varg-thurjeje: brenga e qenies etnike dhe kahet e fatit gjithënjerëzor. Tiparet etnike dhe estetike të kësaj poezie nuk mund të shkëputeshin nga ngjizja dhe ndërtimi i vlerave të përbashkëta të paqes universale. Etnia e sprovave të zhbërjes prore mëtoi të jetë me frymën dhe ngjyrën e vet, një nga përbërësit e mozaikut botëror të etnive. Andaj, shenja identifikuese e këtyre varg-shkrimesh është njerëzorja. Vorbullat e njerëzores do ta tërheqin edhe poetin. Një identitet poetik i tillë parandjeu dhe nuhati përballjen përkitazi gjëmës, përderisa shkujdesur i shtrihemi ëmbëlsisë së hidhur të gjumit:
“Letër pergamenë
Në thellësi mbijeton
Kodi i Akilit
Edhe sot shiton” *
E pa parashikuara mund të vijë në trajtën e vet të panjohur, por pse nuk mësuam ende lojërat trishtuese të sprovimit historik?! Si duket, edhe kur lexuam harruam se dialektika e historisë përsëritet në trajtat më të pa parashikuara të saj… Sipas kësaj rrjedhe logjike, goditja mund të pasojë pikërisht aty ku mungon mburoja.
* * *
Në vëllimin artistik “Duke kërkuar hijen tënde”, përvoja e shtegtimit të pareshtur pas vargut, e shpuri poetin shtigjeve të njohura e të panjohura për gjetjen dhe përafrimin e të kundërtave në një ledh shpirtëror, që të jetë shenja e pikëtakimit për përmbushje të dy anshme të subjektit të dashurisë. Poeti nuk heq dorë nga dashuria ngase ajo është qenia jetike e përmbushjes tij poetike e jetësore.
*Nexhat Rexha “Duke kërkuar hijen tënde”; SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, më 2019, f. 16
Dashuria në mjegullën e zilisë e të xhelozisë, duhej ta kishte ledhin dritë-dhënës të shpirtit, si një referencë, si një gardh për kthimin në udhën e shtruar nga ndjesia e sinqertë, që është pikë- mësymja e parë dhe e fundit për shmangie caqesh gjembore dhe, bredhje udhëve pa burimin e besnikërisë…
Semantika e kërkimit për qëmtime të përbërësve poetikë në këtë vëllim, gjithsesi poetin e çon tek ato caqe të atdheut të ngërthyera në kode që nga lashtësia. Çka ngërthejnë ato kode enigmatike për fatin e etnisë pas zbërthimit të tyre? Gjithsesi, kodet e kancelarive të vendosjes janë përplasur mbi kurrizin tonë, duke shkëputur padhembshëm gjymtyrë të trupit tonë etnik! Plagët tona ende kullojnë… Frymëzimet (po)etike të këtij poeti nuk e përzgjodhën luksin që t`ia kthenin shpinën dhimbjes etnike. Intuita e poetit ndonëse ishte përcëlluar në serinë e mashtrimeve në shekuj, e thërret shpresën që të mos ligështohet, të mos i tëhollojë fijet premtuese:
“Lidha kujtimet
Në udhë të gjata
Me ëndrrën e përhershme
Mos të vijë shtrëngata” *
Në kërkimet e tija poetike, Nexhat Rexha poezisë ia përcaktoi rolin e bartëses së kujtesës. Çfarësia e kujtesës ishte e atillë, meqë:
“Kujtesën mbuluan në ftohtësi
Në çantën e zezë
Koduan verbëri”*
Padyshim në udhë-kërkimin për vargun, për figurën, për pamjen, për jetën, për idenë dhe reflektimet figurative, poeti Nexhat Rexha has e ndeshet me anët e errëta të intelektit djallëzor. Në sferën e të bukurës estetike për njeriun ai apostrofoi, me bardhësinë e ngjyrës tij, shtresimin e ambicies së errët… Apostrofa e një shtresimi të tillë nuk kishte si të intonohej ndryshe, pos përmes ironisë rrëqethëse, ngaqë teknologjia kishte arritur ta përjashtojë atmosferën autentike të natyrës, duke i imponuar tjetër klimë, tjetër atmosferë, atmosferën e përjashtimit të gjësendeve e të dukurive të realitetit, përmbysjen e dialektikës:
“ Teknologjia e re sjell vranësirë
Nëpër fushat e harbuara
Stoliset pas mjegullës
Vjeshta jonë” (Teknologji moderne)
Kërkimi dhe shija qëmtuese e vazhdueshme, kësaj poezie i solli tema, motive e fragmente motivesh, ritme e dinamikë përcaktuese, madje dhe faturën ekzistenciale tronditëse. Kështu, poezia e kësaj tipologjie hap perden e uverturës për kahet e shtjellimit dramatik, që ambiciet e personazheve tekanjozë të mos i zhbëjnë mirësitë e kësaj bote?! Poezisë së këtillë nuk i pushojnë pulsimet dhe frymëmarrjet me ndjeshmëri thellësisht urtuake, me vizion të pastër njerëzor. Andaj,shpirt-bardhi poet i thërret kultit të ndërgjegjes, që të mos ndodh epilogu i dramës atomike e hidrogjenike!
“Teknologji moderne” është një titull vjershe, që nuk përkon me shprehjen e stilit të mirëfilltë figurativ. Shprehja si një togfjalësh i tillë, është krejtësisht e zhveshur, por ngërthesën e saj kuptimore e vesh intonacioni ironik. Togfjalëshin e thjesht e fut në funksion ideja e rrezikut potencial për mbetjen e botës pa njeri?!
*Po aty, f. 9
*Po aty, f. 10
* * *
Në tërësinë poetike të librit “Duke kërkuar hijen tënde”, trajta nismëtare e përcjellores arrin
të ngre antiteza e kontraste idesh mes kumtimesh e kuptimesh kundërthënëse, ndonjë herë kaotike në paraqitjet e tyre. Ndoshta në këtë mënyrë autori i jep shkas lexuesit, që t`i gjejë rebuset e pamjeve e t`i zbërthejë ose t`i zgjerojë e shkurtojë, sipas dioptrisë e shijes së vet identifikuese.
Konceptimit të shtruar për lirinë, poeti i shtron pyetjen jetike për qenësinë e lirisë. Liria me të gjithë përbërësit e saj ishte shtytja jetëdhënëse e jetë-marrëse e brezave; krye-përmasa dhe peshorja e karaktereve… Ajo, madhështia e saj, prore u çmua si një kult i shenjtë, i paprekshëm, i admirueshëm, i patjetërsueshëm… Por:
“Pse shteruan krojet
Në burimet tona
Kur ideali ynë
Ç`lodhej aty dikur”*
A deshëm, ose a ditëm ta çmojmë lirinë si cak i pashmangshëm flijuesish nëpër breza? Lirisë ia vodhëm veshjet, e cullakuam, e shndërruam në një lavire flirtesh!!! Nuk është e çuditshme që të na e kthejë shpinën?! Përse? Ia tjetërsuam ndërgjegjen e besën, i grabitëm testamentin, ia nëpërkëmbëm dinjitetin, ngrehëm karrierën si cakun e saj parësor… Lirinë e lamë asisoj, që të bëjë “gjumë ariu”.
Indiferencën për lirinë poeti e nënvizoi në vetën e parë të shumësit:
“Ne bëjmë sehir
Pamjen e atdheut në kafshim
Mëkatet shtresohen ndër ne”*
Variacione për lirinë në pamjet e këndshme e të padëshirueshme, mandej motivet e përdhosjes së lirisë, i hasim dendur në ciklin e parë dhe më të gjerin e librit “Duke kërkuar hijen tënde” të autorit Nexhat Rexha. Brenda ciklit të dytë “Mbi qepalla të atdheut”, relievit të tij parakalojnë personazhet me sedra të paepura, të cilët më parë kishin vrarë frikën në shpirtrat e tyre, për të mësyrë okupatorët, si: Isë Buletini, Idriz Seferi, Azem Galica, deri te brezi i çlirimtarëve të emblemës së UÇK-së… Mes karakteresh të epikës çlirimtare, poeti futi dhe hallkën e lidhjes së epikës me lirikën, me eksplorues lirikë të mendësisë shqiptare, si penë-shkruesit: Qerim Ujkani e Qerim Arifi…
* * *
Te cikli i tretë “Në gërshetin e kësaj vjeshte”, nëntëmbëdhjetë poezi shtjellojnë variantet e një freskie lirike, që nga intimja e unit shpirtëror, zjarrmia e zemrës së dashuruar… Koncepti i zgjeruar i dashurisë përmes dromcash poetike prekë ngazëllimin e mallëngjimin, qenësoren e vullnetit e të vrullit rinor, gjakimin e etur të jetës… Këtu vargu i togfjalëshave metaforikë e simbolikë paraqitet me dendësi të konsiderueshme, si: qerpiku ngazëllues, sytë depërtues në thellësi dashurie, pafundësia e dehjes, mëngjeset e përmalluara; simbolika e kodit anonim të lules, arka e ëndrrës, nata e gërshetit të vjeshtës, zgjimi i Euridikës me fyellin e Orfeut, “tuneli i ëndrrave…” Figurat e kapjes së drithërimave hidhen gjithandej gjendjeve ngazëlluese, depërtojnë ose presin hyrjen në botën joshëse të subjektit të adhuruar me mëdyshjet: a do t`iu hapen portat e lumturisë?
Këtij kapitulli dashuria i jep ngjyra të ndezura shprehjes dhe jeta ngadhënjen si kujtesë,
*Po aty, f. 17; *Po aty, f. 19
si vullnet, si dehje , si ëndërr e prekur në zhgjëndrrën e amullisë; si impuls gjallërie, si imagjinatë, si mallëngjim moshe, si iluzion njerëzor, si prehje e ëmbël e pashuar…
Autorit dhe krijimtarisë së tij, së bashku me lexuesin, i dëshirojmë shëndet, pjekuri dhe mbarësi!