Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me shefin e kabinetit Meriton Ramabaja dhe Zyrën për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve, kanë takuar një grup të shoqatës së pensionistëve me të cilët kanë diskutuar për nevojat dhe problemet që kanë.
Kryetari Kastrati gjatë këtij takimi ka thënë se është falenderues për punën dhe kontributin që kanë dhënë këta pensionist në kohën e tyre.
“Ne si komunë jemi duke u angazhuar që të kujdesemi edhe për ju. Andaj arsyeja e këtij takimi është që t’i dëgjojmë sugjerimet dhe rekomandimet tuaja në lidhje me gjërat që nevojiten në objektin e pensionistëve. Kjo pasi që Zyra për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve në Komunën tonë ka bërë një projekt për këtë objekt dhe tani jemi në kërkim të një donatori”, ka thënë Kastrati.
Kryetari i organizatës së pensionistëve në Kamenicë, Shaip Rexhepaj duke falenderuar kryetarin Kastrati ka paraqitur disa nga nevojat të cilat i duhen kësaj organizate.
“Faleminderit shumë që keni gjetur kohë të na vizitoni. Ne kemi disa sfida me të cilat përballemi. Kemi nevojë për renovimin komplet të këtij objekti, për përkrahjen tuaj financiare për aktivitete atraktive që ndikojnë në shëndetin tonë. Po ashtu inventari i zyreve është i vjetëruar. Këto janë kërkesat më të nevojshme për momentin”, ka thënë ai.
Ndërsa koordinatorja ZIMB-it, Vildane Maliqi ka prezantuar projektin për renovimin e objektit të organizatës së pensionistëve dhe tha se tani janë në kërkim të një donatori për këtë projekt.
Ky projekt është mirëpritur nga pensionistët duke thënë se mirëpresin çfarëdo inicativë, që përmirëson kushtet e tyre.