Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka nënshkruar marrëveshje me përfaqësuesin e ‘IAC-KOS’ Fikret Bangu, për projektin “Parku i Teknologjisë Bujqësore të Kosovës”.
I pari i komunës duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan në nënshkrimin e kësaj marrëveshje,ka thënë se kjo marrëveshje e cila është investim 6 milion euro në fushën e bujqësisë parasheh ndërtimin e serrës bujqësore e tipit hidroponik.
“Jam tejet i lumtur që kemi arritur që brenda një jave t’i nënshkruajmë dy marrëveshje shumë të rëndësishme për komunën tonë, e që dyjat së bashku kapin vlerën rreth 13 milionë euro. Sot nënshkruam marrëveshjen me IAC-KOS, për projektin “Parku i Teknologjisë Bujqësore të Kosovës”, ku parashihet ndërtimi i serrës bujqësore e tipit hidroponik”, ka thënë ai.
Kryetari Kastrati ndër të tjera theksoi se nga ky projekt pritet të punësohen së paku 80 persona.
“Pozita gjeografike që Kamenica ka, e bën shumë të përshtatshme edhe zhvillimin e bujqësisë. Prandaj, nga ky projekt pos zhvillimit të bujqësisë, pritet të ketë edhe zhvillim ekonomik, ku më së paku pritet të punësohen 80 persona dhe të angazhohen fermerë lokalë në procese të ndryshme të mbjelljes e përpunimit. Urime”, është shprehur ai.
Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje të pranishëm ishin nënkryetari i Komunës së Kamenicës Faton Jakupi, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Arifi, Drejtoresha e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporës, Majlinda Krasniqi.
Të dy drejtorët duke uruar të gjithë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje theksuan se investimet e tilla zhvillojnë edhe më shumë Komunën e Kamenicës si dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve.
“Zhvillimi i bujqësisë dhe zhvillimi ekonomik janë dy fusha të cilat rrisin mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës. Andaj nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla të cilat garantojnë punësim për qytearët tanë, është gjëja që ne synojmë ta bëjmë”, kanë thënë ata.
Ndyrshe përfaqësues të ‘IAC-KOS’, kanë rezantuar projektin para asambleistëvë të kuvendit komunal. Ata falënderuarn Kryetarin Kastrati për angazhimin dhe bashkëpunimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
Po ashtu edhe Kryetari Kastrati në fund ka falënderuar drejtorët Naim Arifi dhe Majlinda Krasniqi për punën e bërë deri në arritjen e nënshkrimit të këtij projekti.
Kujtojmë që ditë më parë Kryetari Kastrati ka nënshkruar marrëveshjen për projektin më të madh që nga paslufta “Kika Hills”, i cili do të ketë vlerën mbi gjashtë million euro. /2LONLINE.com/