Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti shprehu konsideratën më të lartë për punën e palodhshme që po bëjnë zjarrfikësit e kësaj komune.
Ai në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikëvse ka lavdëruar angazhimin e pashoq të Njësisë Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Viti.
Sipas të parit të komunës pjesëtarët e kësaj njësie janë pjesë e rëndësishme e këtij shërbimi vital.
Haliti tha se ata janë gjithnjë të gatshëm për t’iu dalë në ndihmë emergjente çdo qytetari që ka nevojë në raste të ndryshme, si në zjarre, ashtu edhe në fatkeqësi të tjera, duke rrezikuar pse jo edhe jetën.
Kryetari i Komunës së Vitisë ka përgëzuar zjarrfikësit e kësaj komune për sakrificën që ata po e bëjnë sidomos në këtë kohë pandemie duke trajtuar me pastrim dhe klorfikim rrugët, sheshet, trotuaret dhe hapësirat publike gjithandej e me theks të veçantë në lokalitetet e prekura nga virusi.
Haliti u zotua se do të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e kushteve të punës si dhe statutin e tyre.
Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve shënohet çdo 4 maj, e themeluar në vitin 1999, pas vdekjes së pesë zjarrfikësve në ngjarjet tragjike në një zjarr në Australi.