Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te shtatorja e Nënës Terezë në Prishtinë, në 25-vjetorin e vdekjes së saj.
Kryetari Konjufca tha se sot po e kujtojmë dhe nderojmë figurën e Nënës Terezë, shembullin më të devotshëm të humanizmit e besimit të vërtetë, simbolin e kombit shqiptar me nam botëror.
“Po e kujtojmë simbolin e rëndësishëm të kombit shqiptar, por edhe të mbarë botës, Nënën Terezë, e cila është shembulli më i sigurtë i devocionit, i besimit të vërtetë dhe i humanizmit”, tha kryetari Konjufca.
Tutje, kreu i Kuvendit vlerësoi dhe çmoi lart personalitetin e ndritur të Shën Terezës, duke theksuar se ajo u bë shembull inspirues për miliona njerëz.
“Shembulli i saj ka inspiruar miliona njerëz anekënd botës”, tha kryetari Konjufca.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi po ashtu se Nëna Terezë nuk e harroi kurrë kombin shqiptar dhe se ajo gjithmonë ishte afër tij edhe në ditët më të vështira, duke lobuar kështu tek udhëheqësit botërorë për çështjen tonë. /2LONLINE/