Në kuadër të aktiviteteve të përditshme të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, “Sot dhe çdo ditë tjetër”, është mbajtur diskutim me maturantët e Gjilanit në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, tha se ky aktivitet mbahet në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, e që është një temë për të cilën në Kosovë është folur shpesh.
Ai shtoi se si shoqëri duhet ta parandalojnë dhunën dhe të bëjnë atë të papranueshme.
“Komuna do të ndërmarrë masa parandaluese. Jemi duke punuar në këtë aspekt në dy drejtime, ndaj grupeve joshumicë dhe ndaj grave”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, më tej theksoi se edhe në parandalimin e dhunës ndaj grave, komuna është angazhuar shumë. Një ndër ato është thirrja për zgjerimin e bizneseve që drejtohen nga gratë dhe se komuna angazhohet qe pozicioni i grave të jetë më i mirë.
Deputetja e Kuvendit e Kosovës, Arjeta Rexhepi, theksoi se kjo është një fushatë globale që po zhvillohet çdo vit në këtë kohë dhe se dhuna ndaj grave është e pranishme kudo në gjithë botën.
“Nëse duam familje të shëndoshë, në familje nuk duhet të ketë dhunë. Ne në kuvend kemi ndryshuar ligjin dhe tash më tepër mbrohet familja dhe jemi të interesuar të përkrahen gjinia femërore”, tha Rexhepi.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, shtoi se dhuna duhet të raportohet, ngase shoqëria e jonë është e interesuar t’i zvogëlojë ato raste. /2LONLINE/