Kryetari Rahimaj: 1.2 milionë euro investime për ujin në Kamenicë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj së bashku me Kryeshefin e KRU “Hidromorava”, Ymer Salihu, kanë nënshkruar marrëveshjen për investimet e reja që do të bëhen në furnizimin me ujë si dhe rregullimet që do të bëhen në sistem.
Rogana, Novosella, Hodonoci, Muçiverci, Shipashnica e Dajkoci janë fshatrat e Komunës së Kamenicës të cilat do të kyçen në ujësjellës, problem ky i kahmotshëm në këto lokalitete. Vetëm ky investim sipas njoftimit të Kryetarit Rahimaj arrin vlerën e 303,000 eurosh, transmeton Portali 2LONLINE.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje është përfshirë edhe rregullimi si dhe shtimi i sasisë së ujit për qytetin, me rezervuar të ri. Ky rezervuar që do të vendoset në fshatin Berivojcë arrin vlerën e 120,000 eurosh.
Në këtë fushë, momentalisht po punohet edhe në implementimin e projektit FLOWS, projekt ky që arrin vlerën e 750,000 eurosh, i cili ka për qëllim zgjerimin e rrjetit të ujit në qytet si dhe eliminimin e gypave të azbestit në lagjen “Iliria”.
“Së bashku jemi afër që t’a eliminojmë pothuajse në tërësi problemin e ujit në Kamenicë”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai gjithashtu nëpërmjet njoftimit të tij ka falënderuar Ministrinë e Ekonomisë si dhe KRU “Hidromorava” për bashkëpunimin dhe mundësimin e këtyre projekteve. /2LONLINE/