Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se, në prag të seancës së Kuvendit Komunal, si reagim e përgjigje në situatën e krijuar, shprehin, për të disatën herë me radhë, vullnetin e gatishmërinë për tejkalimin e situatës së prodhuar.
“Sipas kërkesave tashmë të bëra publike nga opozita, pavarësisht që nuk kanë fare ndërlidhje direkte me buxhetin dhe bartjen e mjeteve nga viti i kaluar, jemi të gatshëm që të përgjigjemi pozitivisht në kërkesat e tyre”, ka thënë kryetari Hyseni.
Sipas tij, “bllokada e sajuar artificialisht, skenarët e përgatitura tashmë nga opozita e bashkuar, me qëllim që të nxjerrë keq qeverisjen tonë, krejt në fund, dëmtojnë qytetarët tanë e Komunën tonë”.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve politik në që të lënë pas inatet e grumbulluara prej kohësh e vitesh, të mbështesin qytetarët e Komunën.
“Për Gjilanin, për qytetarët tanë”, ka thënë kryetari Hyseni. /2LONLINE/