Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca dhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës.
Kryesia vendosi që të hënën, më 6 mars 2023, në orën 12:00, Kuvendi të mblidhet në seancë për nder të “Epopesë së UÇK-së”.
Kurse, të mërkurën, më 8 mars 2023, në orën 12:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare, për të vazhduar me shqyrtimin dhe votimin e pikave të seancave të papërfunduara.
Po ashtu, u vendos që të enjten, më 9 mars 2023, në orën 10:00, Kuvendi të mbajë seancë të re plenare.
Kështu, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të shqyrtojë në lexim të dytë Projektligjin nr.08/L-137 për Pyjet dhe Projektligjin nr.08/L-172 për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve.
Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-212 për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor dhe të Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për Minierat dhe Mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158.
Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë raportin e performancës së ndërmarrjeve publike qendrore për vitin 2021, për të vijuar me shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”, si dhe me shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP ‘Trepça Sh.A’”.
Seanca do të vazhdojë punimet me votimin për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe shqyrtimin e mocionit të shtatë (7) deputetëve: Projekt-Deklaratë në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).
Kryesia, në mbledhjen e sotme, konfrom përgjegjësive të saj, shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit. /2LONLINE/