Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka pritur në takim nënkolonelin e KFOR-it, Dennis Stiles, i cili ishte i shoqëruar me zyrtarë të tjerë të KFOR-it amerikan, në kampin Bondsteel.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Zejnullah Surdulli, major në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Prishtinë, si dhe zyrtarë nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Kryeprokurori Maloku, fillimisht i ka falënderuar të pranishmit dhe nënkolonelin për kontributin e dhënë në ofrimin e sigurisë, në pjesën e Anamoravës, si dhe për bashkëpunimin e deritanishëm mes tyre.
Gjithashtu, edhe nënkoloneli Stiles e vlerësoi kontributin që ka dhënë ky institucion, në ruajtjen e gjendjes stabile të sigurisë, duke shtuar se do të vazhdohet edhe më tutje kontributi në ngritjen e sigurisë dhe paqes.
Ndër të tjerash, u theksua se ekziston një bashkëpunim veçanërisht i fortë dhe efektiv dhe u diskutua për mundësitë e rritjes së këtij bashkëpunimi, duke përfshirë edhe sigurinë e përgjithshme, me ç’rast nga të pranishmit u theksua se siguria në këtë regjion vazhdon të mbetet e qetë dhe pa incidente të theksuara.