Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është pritur sot në takim nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i prirë nga kryeministri Kurti, ka falënderuar presidentin Sassoli dhe institucionin që ai drejton, për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës, me kërkesën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ai është shprehur mirënjohës për rolin proaktiv dhe avokues të Parlamentit Evropian në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë COVID-19.