Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Mynih, takuan Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Kryeministri e informoi Lajçak, me mbarëvajtjen e reformave të nisura në ekonomi edhe në drejtësi, për prioritetet e Qeverisë për sundimin dhe përpjekjet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, e për të garantuar drejtësi për të gjithë qytetarët.
U bisedua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështetë dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel, për dialog parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
Kryeministri theksoi vendosmërinë që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, të ngelen të pacenuara.
U bisedua edhe për bashkëpunimin rajonal, ku kryeministri potencoi mbështetjen e fuqishme për procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal.
Kryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE, për mbështetjen për vendin tonë, si dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale. /2LONLINE/