DYLON

Kryeministri Kurti bisedon me Peter Maurer, President i Kryqit të Kuq, për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës

Kryeministri Kurti bisedon me Peter Maurer, President i Kryqit të Kuq, për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës
Avatar photo Redaksia

Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte tema e takimit ndërmjet Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministres Donika Gërvalla dhe Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer.

Kryeministri Kurti e falënderoi z.Maurer për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës. Ai shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e mirë që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, si dhe për ndihmën e dhënë familjeve të personave të zhdukur.

EkoHigjiena

Personat e zhdukur me forcë mbeten plagë e hapur e Kosovës që nga viti 1999, tha Kryeministri, duke shtuar se progresi në këtë fushë është i një rëndësie të madhe për të gjitha familjet e pikëlluara të 1617 personave, që ende konsiderohen të zhdukur.

Kryeministri e njoftoi z.Maurer me punën dhe angazhimin me përkushtim gjatë vitit 2021 për hulumtimin, identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, shoqatat e familjarëve dhe partnerët ndërkombëtarë.

U bisedua për kërkimet e vazhdueshme në territorin e Serbisë për lokacione të reja të varrezave masive nga lufta e viteve 1998-1999. Po ashtu, u fol për mënyrat se si ICRC mund të ndihmojë me përvojë dhe ekspertizë.

Në takimin e mbajtur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministrit Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndriçim të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, dhe vendosjen e drejtësisë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.