Filluar në kuadër të Procesit të Berlinit, organizuar në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor është ngjarja më e madhe rajonale e TIK-ut, që mbledh përfaqësuesit e qeverive, sektorin privat, akademinë dhe i lidhë ata me komunitetin e TIK-ut nga Ballkani Perëndimor, BE dhe më gjerë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të samitit.
Duke theksuar se digjitalizimi është një nga prioritetet kryesore, ai theksoi se Qeveria është duke punuar në krijimin e shërbimeve elektronike me qytetarin në qendër, të cilat ofrojnë transparencë dhe llogaridhënie të rritur të qeverisjes, përmirësojnë cilësinë e shërbimeve dhe lehtësojnë jetën e qytetarëve.
Duke folur për komponentin e njerëzve te transformimi digjital, kryeministri vuri theksin te popullsia, si potenciali ynë më i madh kombëtar. Me rininë tonë të aftë në teknologji, sektorin e gjallë të TIK-ut dhe frymën sipërmarrëse të komunitetit tonë të TIK-ut, ne kemi disa nga përbërësit kryesorë për zbatimin e suksesshëm të transformimit digjital, tha ai.
Kryeministri potencoi se me angazhimin e Qeverisë në zhvillimin socio-ekonomik dhe transformimin drejt një ekonomie të bazuar në dije, synohet ngadalësimi i ikjes së trurit, si dhe kthimi i trurit, nëpërmjet nismave, që do të ndihmojnë çlirimin e potencialit të mërgatës sonë.
Duke veçuar aftësitë digjitale, lidhjen digjitale, ekonominë digjitale dhe sigurinë kibernetike si mundësi dhe sfida të vendit tonë, ai theksoi se janë të ngjashme sfidat me të cilat po përballen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ky edicion i Samitit Digjital do të ofrojë një mundësi për vendet e Ballkanit Perëndimor, që të vazhdojnë dhe avancojnë diskutimin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si ndërveprueshmëria, identiteti digjital, rrjedha e lirë e të dhënave dhe siguria kibernetike, tha kryeministri. Ndërsa, shtoi se samiti do të ndihmojë gjithashtu në hapjen e rrugës për integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun digjital pan-evropian. /2LONLINE/