Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte sot folës kryesor, bashkë me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Szunyog, në konferencën vjetore “PAR-Progresi në Kosovë 2023”të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri Kurti potencoi rëndësinë e reformës në administratën publike, për të cilën vlerësoi se është parakusht për zhvillim edhe të sektorëve të tjerë dhe shtoi se Republika e Kosovës qartazi e ka përcaktuar orientimin dhe politikat e saj shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian
“Në kontekstin e modelit që adreson këto kërkesa për reformim, për Qeverinë ka qenë jetik fokusi që procesi në tërësi të jetë i bazuar në parime dhe vlera të cilat ne i ndajmë me shtetet demokratike, pra meritokraci, transparencë, llogaridhënie, efikasitet dhe mosdiskriminim”, tha Kryeministri Kurti.
Më tej, ai tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë që ndërlidhen me reformën në administratë publike, i cili është fokusuar në planifikimin strategjik e i cili ngërthen Planin Kombëtar për Zhvillim; aprovimin e Strategjisë për Reformë në Administratë Publike për periudhën 2022-2027; Strategjinë për e-qeverisje dhe atë për siguri kibernetike, që përbëjnë njashtu boshtin e një planifikimi të mirëfilltë të reformave, si dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në Sektorin Publik. Për këtë të fundit, kryeministri tha se për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës në sektorin publik dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë, çfarë ishte në të kaluarën. /2LONLINE/