Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, priti në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së, ambasadori Tomáš Szunyog.
Gjatë takimit kryeministri Kurti i informoi përfaqësuesit për reformat e filluara në ekonomi dhe drejtësi, për stabilitetin institucional në Kosovë dhe rritjen ekonomike të cilën e kemi shënuar.
Kryeministri theksoi se sundimi i ligjit ngelet prioritet i qeverisë sonë si dhe përpjekjet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, e që duhet të shoqërohen edhe me një prokurori efektive e gjyqësor efikas, që të garantohet drejtësi për të gjithë qytetarët.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe mbikëqyrësi i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar, vlerësoi Kosovën si partner solid dhe mik të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për çfarë u shpreh edhe mirënjohës.
Ai theksoi se e përkrahin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe se dialogu e ka përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dialogu duhet të jetë i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, sepse është për Evropën, por përderisa lëvizni në Bashkimin Evropian, do të vazhdoni të jeni mik i ngushtë i ShBA-ve, theksoi ai.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vlerësoi këtë vizitë si unike, duke qenë së bashku me z. Escobar, për të dërguar mesazh të qartë se BE-ja dhe ShBA-ja po punojnë ngushtë së bashku.
Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, e mbështet dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
Duke folur për menaxhimin me pandeminë COVID 19, kryeministri theksoi se kemi arritur që t’i kemi 60 për qind të popullsisë të moshës mbi 16 vjeçare me dy doza të vaksinës dhe se vazhdimisht ju bëjmë thirrje qytetarëve që ta marrin edhe dozën e tretë përforcuese.
Ai i njoftoi se në vitin e kaluar kemi shënuar 10 mijë vende pune të regjistruara rishtas dhe gjithashtu kemi pasur rritje ekonomike prej 9.9 për qind, sipas Bankës Qendrore të Kosovës. Pastaj, rritje të të hyrave doganore për mbi 1/3, rritje të të hyrave tatimore për mbi 1/4, krahasuar me vitin paraprak, rritje të buxhetit për këtë vit për 12 për qind krahasuar me vitin që shkoi dhe gjithashtu edhe rritje prej afër 60 për qind të investimeve të huaja.
Kryeministri Kurti e falënderoi z.Lajčák dhe zotin z.Escobar për vizitën dhe për kontributin që po e japin edhe sa i përket raportit midis Kosovës dhe Serbisë, edhe sa i përket mbështetjes për vendin tonë por edhe paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë dhe sigurisë rajonale. /2LONLINE/