Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në takim u diskutua për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.
Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër.
Energjia kishte vëmendje të veçantë. Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës. Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.
Në lidhje me vendimin për targa, ai tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës. Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare, u shpreh kryeministri Kurti. /2lonline/