Pjesëmarrjen e tij në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike që për temë kishte Reformën e Administratës Publike, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e filloi duke u solidarizuar me popullin e Ukrainës pas invazionit rus, të cilin e vlerësoi si agresionin më të madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Më pas, kryeministri Kurti vazhdoi fjalën e tij lidhur me Reformën e Administratës Publike, e cila siç tha ai, ka një rol qendror në Programin e tij Qeverisës.
“Kjo për shkak të rolit të rëndësishëm që ka për lidhjen organike në demokraci ndërmjet shtetit, qytetarëve, shoqërisë civile dhe sektorit privat, si dhe për shkak se aftësia e shtetit për të arritur Reforma në Administratën Publike është standardi kyç për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Një nga përbërësit kryesorë për një zhvillim të qëndrueshëm, sipas kryeministrit Kurti, është një administratë publike efektive, llogaridhënëse dhe e orientuar drejt qytetarëve, derisa theksoi se administrata jonë publike përballet me sfida nga më të ndryshmet.
“Dua të theksoj që pavarësisht avancimit ligjor që kemi bërë si vend në sektorin e administratës publike, kemi trashëguar probleme të shumta. Adresimi i tyre, zgjidhja e tyre, përpos vullnetit dhe kohës, kërkon edhe një qasje transformative. Por, besimi i lartë qytetarë që është edhe përgjegjësi e lartë, njëkohësisht paraqet mundësi të mirë. Me qeverisjen tonë, nevoja e kahmotshme për Reformë të Administratës Publike, përveç pritje dhe kërkesë e qytetarëve, është synim dhe veprim i yni” tha kryeministri Kurti.
Pasi renditi disa nga proceset kryesore në kuadër të reformës së administratës publike në të cilat Qeveria është duke punuar, si ajo e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, rishikimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe procesi i zvogëlimit të barrës administrative, kryeministri Kurti theksoi se kjo konferencë sot është një mundësi e mirë për diskutimin e ideve për reformat që synojmë t’i bëjmë. /2LONLINE/