“Vizita e sotme e rikonfirmon afërsinë dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe republikave tona”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, në konferencën për shtyp, pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, .Andrej Plenkoviq.
Duke përmendur synimet e Qeverisë për ekonomi të qëndrueshme, Kryeministri Kurti theksoi mundësitë e potencialin që kanë dy qeveritë për bashkëpunim bilateral.
“Në frontin ekonomik, jemi të bindur se mund të punojmë së bashku, për të zbuluar fusha të bashkëpunimit, si forumet e biznesit, pastaj për shkëmbime përvojash në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, antidumping dhe instrumenteve të tjera të tregut”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi mbështetjen të cilën e merr Kosova nga Kroacia, sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes, si dhe në edukimin dhe trajnimin e forcave tona dhe stërvitjet e përbashkëta në terren.
Ai ritheksoi synimin e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Po ashtu, shprehu mbështetjen për bashkëpunim dhe integrim rajonal.
“Ne e mirëpresim Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe kemi propozuar që të përmirësojmë atë, duke futur mekanizma të rinj të pavarur, si Autoriteti Mbikëqyrës dhe një Gjykatë, me një marrëveshje të re tregtare, që e kemi quajtur SEFTA, pra një lloj avancimi i CEFTA-s, gjithnjë përbrenda Procesit të Berlinit dhe gjithnjë drejt Bashkimit Evropian,” tha kryeministri Kurti.
Ai shprehu edhe një herë falënderimin e sinqertë për donacionet e vaksinave nga Republika e Kroacisë, si dhe ndihmën e përkujdesjen mjekësore, që iu ofrua bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik, në afërsi të qytetit Slavonski Brod. /2LONLINE.com/