Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në përurimin e fabrikës së letrës ‘’Royal Paper Cups’’, në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës.
Ai tha se po shënojmë edhe fillimin e një ndërmarrje të re prodhuese, një investimi të ri. “Pikërisht ajo që i duhet ekonomisë tonë. Prodhim, investim. Investim në prodhim”, u shpreh kryeministri para të pranishmëve në këtë ceremoni.
Duke kujtuar kohën e pandemisë me COVID-19 dhe sfidat e përballjes me të, ai riktheu në kujtesë edhe udhëzimet e profesionistëve që përpos mbajtjes së distancës, higjienës, dhe maskave, rekomandohej, edhe që në vend të gotave të xhamit e të porcelanit, të përdoreshin gotat një përdorimshe të letrës.
“E sot po përurojmë hapjen e një fabrike të prodhimit të gotave prej letre. Vlera investive kalon shifrën mbi një milion euro me synim të rritjes së potencialit prodhues në të ardhmen. Pandemia ndër të tjera na pati shpërfaqur një defekt serioz të ekonomisë tonë; varësinë nga importi, dhe mungesën e prodhimtarisë vendore, por sikurse ndërmarrësit që shohin shancin në vështirësi edhe qeveritë duhen që në kriza si ajo e pandemisë të shohin mundësi për reforma’’, tha më tej kryeministri Kurti.
Ai theksoi se që atëherë fokusi i Qeverisë është riorientimi i ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore, ndërkaq që listoi edhe masat mbështetëse për bizneset në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kryeministri uroi pronarët e kësaj fabrike për këtë investim, bëri thirrje që edhe të tjerët të investojnë në prodhimtari.
Pas fjalës, kryeministri mori pjesë në prerjen e shiritit dhe vizitoi ambientet e fabrikës ku prodhohet letra dhe gotat e letrës për tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm. /2LONLINE/