ryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur të premten në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e më pas kanë inauguruar fillimin e punimeve të rrugës “Hamdi Kurteshi” dhe kanë përuruar parkun “Banja”.
Kryetari Hyseni, pasi ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe mbështetjen e ofruar, ka bërë të ditur se vlera e projektit të përfunduar të parkut
“Banja” është rreth 250 mijë euro, ndërkaq vlera e projektit të rrugës “Hamdi Kurteshi” është 2.4 milionë euro.
“Parku “Banja” është njëri nga parqet më të mëdha të Gjilanit në zonën urbane me rreth 2 hektarë hapësirë. Nga një hapësirë të degraduar, këtë park e kemi shndërruar në shëbrim të qytetarëve, familjarëve, fëmijëve, sportistëve dhe atyre që e duan gjelbrimin dhe natyrën. Në këtë hapësirë kemi një terren tenisi, një fushë basketbolli, një amfiteatër të madh për aktivitete kulturore, hapësirën e lodrave për fëmijë e shtiget për ecje”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Ndërkaq, rruga “Hamdi Kurteshi”, të cilën po e fillojmë sot, është njëra prej rrugëve më të frekuentuara të qytetit. Në këtë rrugë do të mbulohet tërësisht pjesa e lumit Stanishorka, ndërkaq përreth kazermës së FSK-së do të bëhet rruga me katër korsi, me shtigje të biçikletave si dhe hapësirë për vendkalimin e këmbësorëve. Projekti që kap vlerën e 2.4 milionë euro bashkëfinancohet nga Komuna e Gjilanit me 400 mijë euro dhe nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë prej 2 milionë euro”, ka shtuar ai.
Kreu i Gjilanit ka nënvizuar se projektet tjera që presin të fillojnë në vitin e ardhshëm e që janë të buxhetuara kapin shifrën e mbi 40 milionë euro.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasi ka përgëzuar kryetarin Hyseni për punën e madhe në realizimin e projekteve, ka paralajmëruar tri prpojekte gjigante për Gjilanin.
“I pari është stadiumi i qytetit me rreth 15 milionë euro, ku procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. I dyti është unaza rrugore e qytetit me afro 26 milionë euro, i cili tashmë është buxhetuar për vitin 2024 dhe i treti është bulevardi me rreth 20 mijë metra katrorë, me hapësirë publike, infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor dhe ka një kosto prej 12 milionë euro, ku gjithashtu, është buxhetuar për vitin e ardhshëm”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në fund, kryeministri Kurti ka theksuar se ndihet mirë që objekti i QMF “Arbëria”, gurthemelin e të cilit e kanë vënë në tetorin e vitit të kaluar, tashmë është përfunduar dhe aty qytetarët marrin shërbime shëndetësore, ndërkaq çerdhja në fshatin Miresh, e filluar një vit më parë, është në prag të përfundimit. /2LONLINE/