Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, ardhja e kryeministrit Markoviq, i ka dy porosi sot në Kosovë, si, hapja e Qendrës për Zhvillim e Malazezëve në Kosovë, e cila u inaugurua në mëngjes, si porosi që malazezët e Kosovës janë në shtëpinë e tyre në Kosovë dhe do ta kenë përkrahjen e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe, është inaugurimi i autorrugës, që lidh në këtë rast rajonin, lidh Kosovën me Maqedoninë, por lidh edhe Maqedoninë me Shqipërinë, Maqedoninë me Malin e Zi.
Kryeministri Haradinaj, gjatë takimit ka biseduar për të gjitha temat bilaterale, duke besuar që marrëdhëniet Kosovë-Mal i Zi do të thellohen edhe më tutje për qëllimet e njëjta euroatlantike.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar homologun malazez për të gjitha zhvillimet e fundit në vend, sundimi i rendit dhe ligjit, progresin ekonomik, infrastrukturor dhe reformat e përgjithshme në vend.
Në këtë takim Kryeministri Haradinaj potencoi rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi dhe partneriteti me vendet e rajonit, në të mirë të zhvillimit të këtyre vendeve dhe të ardhmes së përbashkët evropiane.
Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova është e përkushtuar që të avancojë me marrëdhënie bilaterale me Malin e Zi edhe në fusha të interesit të përbashkët dhe takimi i sotëm është dëshmi e fortë e këtij orientimi.
Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se ka kënaqësinë që me kryeministrin Haradinaj të bisedojë për raportet bilaterale në mes dy shteteve dhe, hapja e Qendrës Zhvillimore, është dëshmi e një miqësie thelbësore dhe të përhershme me Kosovën, si respektim i vlerave të tyre, që janë vlerë e përbashkët euroatlantike dhe multietnike mes dy vendeve.