Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot, u mbajt konferenca me temën: “Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta mbështesë, në mënyrë që viktimat ta ndjejnë mbështetjen e shtetit të tyre”, tha Kryeministri Hoti.
Ai inkurajoi të gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm të luftës, që të aplikojnë për të fituar statusin që ju takon. Ndërsa, në të njëjtën kohë i bëri thirrje gjithë shoqërisë tonë që të mbështesin këtë proces, sepse turpi bie mbi kryesit e këtij krimi e jo mbi viktimat.