Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, z. Anton Quni dhe ministren e Financave, znj. Hykmete Bajrami, ka zhvilluar një takim virtual me kryetarët e komunave, ku është diskutuar lidhur me dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe ndihmën që mund të ofroj Qeveria në sanimin e tyre.
Kryeministri Hoti ka kërkuar nga kryetarët e komunave, që sa më parë të formojnë Komisionet Komunale, për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, ndërsa ka paralajmëruar se në takimin e radhës të Qeverisë në detyrë, i cili pritet të mbahet nesër, do të formohet edhe Fondi Emergjent, ku nga rezervat shtetërore do të ndihmohen komunat në sanimin e dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet e ditëve të fundit.
Kryeministri Hoti ka qartësuar se dëmet të cilat janë shkaktuar në infrastrukturën publike dhe në tokat bujqësore, do të kompensohen sipas procedurave të rregullta përmes ministrive të linjës. Ndërsa Fondi Emergjent, do të ketë prioritet sanimin e dëmeve në ekonomitë familjare, me prioritet familjet me gjendje më të rëndë socio- ekonomike.
Edhe në këtë takim, kryeministri Hoti i ka përgëzuar për punën e tyre të jashtëzakonshme Kompaninë për Operacione Civile të FSK-së, Njësitet e Ekipeve të Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit, ekipet e Xhenios, Agjencinë e Emergjencave dhe Shtabet Lokale, të cilat pandërprerë janë në terren në mbikëqyrje të situatës dhe ofrim të ndihmës për qytetarët dhe familjet e prekura nga vërshimet.
Përndryshe sot prej orës 14:30 kryeministri Hoti, bashkë me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, do të qëndroj në fshatin Koretin, për të parë nga afër dëmet të cilat i kanë shkaktuar reshjet e ditëve të fundit. Kamenica është në mesin e komunave të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme si në infrastrukturën publike ashtu edhe në toka bujqësore, si dhe ekonomi familjare.