Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur lajmin për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë.
Duke uruar shqiptarët në Maqedoni, por edhe institucionet maqedonase për një hap të rëndësishëm jo vetëm për ta, por për tërë rajonin, kryeministri Hardinaj tha se miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.
“Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë avancon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, nxit zhvillimin demokratik të tij dhe hap perspektivën e vendit drejt integrimeve euroatlantike. Me këtë vendim fillon një epokë e re në marrëdhëniet e brendshme të Maqedonisë dhe njëkohësisht edhe në rrugëtimin e gjithë rajonit drejt BE-së. Uroj Republikën e Maqedonisë për këtë akt të rëndësishëm ligjor dhe mbi të gjitha shtetëror. Por, në veçanti i uroj të gjithë bashkëkombësit tanë në Maqedoni e kudo ku janë, për realizimin e të drejtës së tyre për të qenë të barabartë, një e drejtë që do të hapë rrugën e perspektivës”, tha kryeministri Haradinaj.