Të arriturat e vendit në aspektin politik dhe demokratik, pozicioni i Kosovës karshi vendeve të rajonit dhe bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me këto vende, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.
“Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e raporteve me Vatikanin dhe se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Vatikani është hap i nevojshëm”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se vizita e kardinalit Parolin në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e Vatikanit.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova dhe populli i saj, ndër shekuj kanë dëshmuar vlera euro-atlantike, në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe lirisë fetare në vend, dhe këtë përkushtim ia ka shprehur edhe Sekretarit Parolin, duke konfirmuar gatishmërinë për avancimin e këtij partneriteti edhe në të ardhmen.
Kryeministri Haradinaj përmendi edhe faktin se liria fetare dhe orientimi euro-atlantik i Kosovës janë vlera të pacenueshme, vlera këto që duhet të promovohen edhe në raportet mes dyja vendeve.
“Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësisë së mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë dhënë Kosovës.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, derisa e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.
Takimi me sekretarin Parolin u zhvillua në Muzeun e Kosovës, një vit pas vizitës zyrtare që kryeministri Haradinaj i bëri Vatikanit, me ç’rast në Selinë e Shenjtë ishte pritur në takim nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Kardinali Pietro Parolin.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj në shenjë mirënjohje i ka dhuruar sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” i botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.