Kjo kremte përcjell lajmin e mirë të paqes nëmes njerëzve, duke bërë me dije që në fillim se besimi është paqë dhe drejtësi, që është kërkesë e vetme e Perëndisë për njerëzit. Kjo do të thotë se besimi nuk ka dhunë dhe në këtë të gjithë ata që thirren në dhunë janë jashtë besimit.
Nuk mund të ketë me këtë besim vetëm për një popull a komb, vetëm për një shtet, ose besim si në këto kishat nacionale, etj. Nuk ka besim aty e në rastet kur njerëzit detyrohen të konvertohen, të besojnë me zor a me interes, a me pagesë, a me kusht jete.
Në emër të besimit të krishterë u bënë luftëra e krime masive, inkuizicion e konkuistë,…por ato anise thirreshin në emër të besimit të vërtetë”, -ato forca të dhunshme që bënë ashtu nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me besimin dhe Biblën, anise edhe tani ka të tillë. Edhe tani në emër të besimit bëhen thirrje për dhunë e luftë, përplasen komunitetet e me përmasa edhe botërore, duke u thirrur në këtë shkrim a atë shkrim të shenjt dhe duke argumentuar me të drejtat historike në tokat e vendet, me çka edhe bëhen përplasjet e luftërat. Të gjithë ata që bëjnë kështu janë jashtë besimit dhe armiq, sepse veprat e tyre tregojnë të vërtetën për ta.
Krishtilindja ndryshe edhe më drejt për spjegim, është lindja e Mesisë. “Krisht –i vajosur i Perëndisë” është nga gjuha greke në përkthim, kurse “mesi –masih ose mashiah” nga gjuha hebreje. Gabrieli Kryeengjulli siç dëshmon Ungjilli i foli “Miriamit” në gjuhë të saj dhe ai mesazh a lajm filloi në gjuhën hebreje. Ai i tha Miriamit se…emri i djalit do të jetë “Jehoshuah”, që do të thotë -Zoti është Shpëtimtar. Kalimi i tekstit biblik në gjuhët tjera të botës pati përshtatjet e natyrshme sipas mundësive të gjuhëve. Ashtu, Jehoshuahu u përkthye tek grekët në Isos, tek arabët në Isa, tek sllavët në Isus, tek romakët në Jezus, tek anglezët në Xhisus, etj.
Vajosja, që u muar për epitet të Jezusit, ishte veprim me traditë e kunorëzimit të mbretërve të hebrejve, me që rast nga një bri që e mbante një profet zyrtar i derdhej vaji i shtrenjtë nga kryet një të zgjedhuri a të përcaktuari nga njerëzit për mbret. Vajosja por erdhi nga tradita njerëzore, kurse mesianizmi nga punët e Perëndisë për njerëzit. Kështu edhe më drejt është të quhet “Mesi”…
-II-
Ditët e veçuara të besimit janë “kremte”, kurse ditët e tilla shtetërore e kombëtare janë festa. Kremtja dallon nga festa me shkakun për të cilin kremtohet a festohet. Një kremte ka për shak një a më shumë ditë përkujtimi të një ngjarjeje nga besimi. Festa ka përkujtim një ngjarje shtetërore, e cila ditë është shtetërore ose kombëtare. Festa ka karakter të lirë dhe “festë” do të thotë diçka të gëzueshme e të lirë në festim, kurse kremtja ka një përmbajtje dhe maturi në përkujtim, një përvuajtëri të thellë për ngjarjen e cila është arsye e kremtes.
Tutje kremtet dallojnë nga festat edhe për një gjë.
Festat janë shtetërore zyrtare nga arsyeja kombëtare, por që ndërlidhen me kohën dhe qeveritë. Kështu, një festë shtetërore mbahet nga një qeveri në pushtet, mirëpo ndodhë që nëse ndërrohet qeveria e pushteti, ndërrohet edhe sistemi shoqëror e njerëzor, me këtë edhe festat ndërrohen të shumtën. Ka edhe festa kombëtare që qëndrojnë në çdo kohë a qeveri a sistem, siç është festa e Ditës së Lidhjes së Prizrenit tek kombi shqiptar, mirëpo ka shumë festa të cilat një qeveri i mba e tjetra që vjen pas saj nuk i mba.
Mandej në një bashkësi edhepse shumica janë të një kombi, ka edhe pakica kombëtare dhe ata nuk e mbajnë a festojnë një festë të kombit shumicë në vend, edhepse është festë zyrtare, por i festojnë të vetat që i kanë në kombin e vet. Kremtet njësoj, siç po ndodhë tek ne tani pas lufte, janë të shqiptarëve me shumicë por edhe të pakicave tjera kombëtare e etnive dhe se zyrtarisht bëhet pushim në ato ditë të kremteve të të gjitha pakicave e etnive, kurse festa zyrtare janë vetëm festat e Kosovës.
Kremtja është dëshmi e mënyrës së besimit. Besimi është tredimenzional, -besim, ligj dhe kulturë. Kështu besimtarët kanë bindjen e besimit, të ligjit që del nga mënyra e besimit si dhe kulturën e cila është fryt i kohës së gjatë nga mënyra e besimit. Intresant, -është dëshmuar se një popullsie mund t’i ndalohet e hiqet mënyra e besimit dhe ligjit, porse nuk nuk mund t’i hiqet e shuhet kultura nga besimi!
-III-
Krishtlindja është kremte në botën e krishterë që përkujton lindjen e Jezusit. “Lindja e Jezusit” është kremtja kryesore e besimit të krishterë. Gjithë besimi i krishterë mbahet nga bindja se Jezusi u lind, jetoi në mes njerëzve, tri vjet profetizoi, mandej në fund vdiq në kryq dhe pas tri dite u ringjall dhe pas do dite u ngrit në qiell pranë Perëndisë. Ky është koncepti më i shkurtër i besimit të krishterë, që do të thotë se vetëm kështu ky besim mbahet. Për këtë edhe kundërshtimet në botë kundër krishtërimit nisin dhe përfundojnë me sulm mu në këtë koncept.
Sipas Biblës, mandej detalisht Ungjillit, Jezus është vetë Perëndia i trupëzuar në njeri me lindje njerëzore. Ai erdhi kështu me lindje njerëzore, për të jetuar nëmes njerëzve, njeri sikur gjithë njerëzit, e për të ndihmuar njerëzit në vuajtjet e tyre të përhershme. Shkaku i vuajtjeve thotë Bibla është mëkati, i cili hyri në njeriun e parë dhe që Jezus erdhi thëto ungjilli që ta heqë mëkatin dhe të çlirojë njerëzit, a të u mundësojë heqjen e mëkatit. Në këtë Jezus mëson Ungjilli edhe i mësoi njerëzit si të largoheshin nga jeta mëkatare, me çka shumë herë edhe u tha se vërtetë ai ishte “mësues dhe Zot”!
Çështjen e mëkatit njerëzit asnjëherë nuk e kuptojnë, mendja nuk ua kapë, as mënyra e jetës nuk ua don ta njohin mëkatin. Njerëzit thjeshtë nuk e dijnë dhe nuk e kuptojnë se çka është mëkati dhe për këtë kur bëhet fjalë për besimin shumica kundërshtojnë sepse vetë jeta e njerëzve, mëkatare, nuk i lejon të pranojnë besimin. Në të vërtetë ka besimtarë në masë por që besimin e mbajnë për rutinë dhe “politikë”, -çka bëjnë gjithë të tjerët e për të mos u ndarë.
Në këtë rendohen tutje kundërshtitë për mëkatin e njeriut të parë, kur njerëzit tani nuk e pranojnë as kuptojnë, sepse mendojnë se secili ka veten e vet dhe përgjigjet për vete e jo për punë të huaja! Nga këto dy pakuptimësi, që vijnë në kundërshtim me mënyrën tejet mëkatare e hipokrite të jetesës, por që njerëzve mu kjo mënyrë u pëlqen, mu për këtë jetë mëkatare gjithë jetën mundohen, -pra nga këto dy pakuptimësi me kundërshti ndërtohet i tërë kundërshtimi tutje i konceptit të mënyrës së besimit në Jezusin dhe në mësimet e Ungjillit. Për këtë, Jezus në Ungjill përmendë veçanërisht se ishte “Mësues dhe Zot”!
Në botën e krishterë ka tri ndarje paralele të brendshme, që janë katolicizmi, ortodoksizmi dhe preotestantizmi. Teksti Biblik në të tri mënyrat e krishtera të besimit është i njëjtë, me dallim se në protestanziëm ka më pak “libra”, që do të thotë se janë heqë rreth shtatë libra –njësi nga teksti i vjetër, me arsyetim se janë “apokrife”, mandej se janë përsëritje e panevojshme, si dhe se kanë një rang më të ulët se librat tjerë të po të njëjtës materie. Kështu përkrah Librit të fjalëve të Urta e Librit të Predikuesit ka qenë bindja se nuk ka nevojë të ketë libra tjerë të së njëjtës gjini, sepse as nuk e mbërrijnë lartësinë e dy librave të parë.
Arsyetimi tjetër është se 400 vjet para ardhjes së Jezusit nuk pati profetë asnjë. Arsyetim tjetër është kalimi me përkthim i tekstit biblik nga hebraishtja –aramaishtja në greqishte të vjetër në shekullin –III- me që rast mori emër të veçantë, “Septuaginta”, Shtatëdhjetë e dy Përkthyesit dhe Përshtatësit, skribë, të cilët mbreti i Egjiptit i mblodhi dhe i pagoi për të përkthyer Biblën në gjuhën greke. Largimi i trefishtë nga teksti origjinal, -edhe ky ishte shkas për heqjen e shtatë librave nga Bibla e Vjetër. Mirëpo kjo nuk do të thotë së ka ndonjëfarë dallimi në Bibël, përkundrazi, teksti tjetër është i njëjtë në gjithçka dhe unë i lexojë shpesh dhe nga nevoja tekstet e hequr nga verzioni katolik i Biblës, pasise disa kanë edhe rëndësi të madhe historike.
Pse erdhi Jezus pra edhe një herë nga fillimi? Ungjilli na mëson se erdhi për të ndihmuar njerëzit, për t’i mësuar, e mandej për t’i çliruar përgjithmonë nga pashpresa për shpëtim. Njerëzit panë vetë praninë e Jezusit dhe u bindën e shumë edhe besuan, mirëpo ishte fillimi i vështirësive të depërtimit të besimit, në ato vende e kohë, kur kishte pushtete të shumëfishtë robërues dhe kur për më tepër njerëzit besonin se e kishin besimin e duhur dhe nuk pranonin as diskutim në këtë temë.
Judejt dhe grekët ishin dy grupe personazhesh të dramës së atyre kohëve, përmes të cilëve jepet gjithë ngjarja. Jezus për këtë sipas parathënies e Ligjit të Perëndisë, u sakrifikua më në fund botërisht para njerëzve, për të mirë të tyre dhe për shpëtim, e me premtim për jetë të përjetshme, me kusht vetëm të besimit në atë që tha Jezus dhe në atë që më në fund e bëri për njerëzit, -duke dhënë edhe jetën e tij. Njerëzit mund të bëjnë kushdi çfarë heroizmash, ama askush nuk mund të sakrifikojë veten për tërë njerëzimin, sepse as ka si as qysh! Jezus thotë Ungjilli sakrifikoi veten për njerëzit të gjithë, edhe për ata që do të vinin pas tij përgjithmonë dhe mundësoi shpëtimin nga mëkati i botës.
Ngjarja në Ungjill është si është, por në të vërtetë ajo ngjarje ishte e parathënë qindra vjet më parë dhe ishte Vendim i Perëndisë për të shpëtuar njerëzit me çdo kusht. Mënyra si spjegohet në Ungjill, si dëshmohet, me çka dëshmohet, si bëhen parabollat e figurat dhe simbolet edhe artistike, -të gjitha janë në shërbim të Mësuesit, i cili mundohej me gjithçka t’u spjegonte e konkretizonte sa më lehtë e sa më kjartë nxënësve misionin e tij.
Ai e dinte punën e nxënësve të tij, se ishin njerëz dhe të dobët, mandej koncepti i besimit ishte dhe është gjithëjetësor dhe gjithëkosmik, për çka nuk ka mundësi të kapet me mendje e të racionalizohet sakt nga njerëzit. Ai mësuesi për këtë u foli lehtë, me pjesë, me shembuj, e me butësi. I mësoi më shumë të ishin të butë, të urtë, të dhëmbshëm, të mëshirshëm, të drejtë, të dashur, të dobishëm, miq për të gjithë dhe të mos urrenin për asgjë, sepse i mësonte se në faj janë të gjithë, duke hedhur se fajtor është edhe ai që dëmtohet sikur ai që dëmton. Për më tepër në Ungjill kërkoi që ata që ishin me të dhe që e pranonin atë, të luteshin edhe për armiqt dhe t’i donin ata, që do të thotë të mos kërkonin dënim për ta.
Në kontekst drame lehtë kuptohet se ai u foli njerëzve që e shoqëronin se ata vetë ishin armiq të vetes dhe të njëritjetrit. Njeriu kur ishte armik i Perëndisë, Perëndia mendoi vazhdimisht si ta shpëtonte njeriun! Perëndia ka tjetër koncept për jetën dhe ligjet e tij janë të bërë nga dashuria, mëshira e drejtësia, me çka Mësuesi i mësoi nxënësit e tij që të imitonin vetë Perëndinë në vepra të mira. Në këtë ai u tha se po ta pranonin këtë që Perëndia u kishte dërguar dhe ta njihnin atë dërguesin, Perëndia të tillët do t’i bënte bij të tij!
Njeriu mund të bëhet bir Perëndie lehtë sa s’ka më, -vetëm me kusht të pranojë të dërguarin dhe dërguesin! Për këtë, ai mësuesi i mësoi se mu si ai që ishte mësues, edhe njerëzit mund të bëheshin mësues; mu si ai që bënte mrekulli, edhe njerëzit mund të bënin mrekulli; si dhe mu si ai që kishte njohur Perëndinë dhe pranuar, e që ishte bir i tij, edhe njerëzit që pranojnë këtë të dërguar dhe pranojnë autoritetin e dërguesit, do të bëheshin bij e bija të Perëndisë!…
-IV-
Të krishterët e kanë besimin mu kështu, se janë bij (e bija) të Perëndisë, pasise e kanë pranuar të Dërguarin dhe Dërguesin! “11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, 12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij”. (Bibla, Ungjilli sipas Gjonit, kap. 1 :11, 12.)
Besimi me këtë koncept të shkurtër ka për bazë ngjarjen, për të cilën besohet se ka qenë sigurisht. Këtë ngjarje e ka edhe mënyra islame e besimit, deri tek predikimet e fundit të Jezusit, të cilin person Kur’ ani e dëshmon, me emrin Isa, por duke i shtuar gjithmonë emrin e nënës së tij Meriem, më një shkas të arsyeshëm. Për më tepër në Kur ‘an Jezus paraqitet e identifikohet edhe me epitete hyjnore, -Kalimatuhu, që do të thotë drejtpërdrejt Fjalë e ardhur prej Perëndisë, si dhe Ruh-un Min-hu, -Shpirti i Perëndisë!!!… Në Kur ‘an mandej, Sure Anbija, Ajeti 92 thotë: “Dhe kujtoni atë (grua), e cila ruajti nderin e saj, pra ne ia zbritëm Fjalën tonë asaj dhe ne e kemi bërë atë dhe birin e saj Shenjë për tërë njerëzimin”.
Çështja kështu rreth Biblës e Kur ‘anit vjen kaq afër, sa që mohimi i njërës është mohim edhe i tjetrës dhe anasjelltas. Ka përplasje nëmes teksteve të të dy librave këtyre, por që këto janë në të vërtetë çështje e shkruesve në përshtatje dhe përkthim të shumëfishtë. Sidoqoftë njeriu i drejtë i jep gjithmonë të drejtë paqes dhe marëveshjes, sepse gjithçka është e dhënë nga Perëndia, Zoti i gjithëçkaje, kurse njeriu është sidoqoftë në atë që merr, prandaj njeriu ka vetëm të drejtën e posedimit dhe përdorimit të asaj që ka të veten.
Urime shumë, Krishtlindja!