Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, zhvilloi sot një takim me drejtorët e shkollave të kësaj komune, ku tema kryesore e diskutimit ishte mos ekzekutimi i pagave nga ana e Ministrisë së Financave. Ky mos ekzekutim ka krijuar shqetësim të madh te punëtorët e arsimit të komunës së Vitisë, të cilët janë të vetmit në Republikën e Kosovës që nuk kanë marrë pagat e muajit shtator.
Gjatë këtij takimi, kryetari Haliti adresoi kritika ne Ministrinë e Financave, duke theksuar se kjo situatë është e papranueshme dhe ka ndikuar negativisht në mirëqenien e mësimdhënësve dhe funksionimin normal të procesit arsimor. Ai fajësoi Ministrinë për krijimin e këtij problemi, duke kërkuar që të merren masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për të siguruar që pagat të shpërndahen sa më shpejt.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngarkuar, ku drejtorët e shkollave shprehën shqetësimet e tyre dhe kërkuan zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e Sindikatës së bashkuar të Arsimit në Viti, të cilët i dhanë mbështetje punëtorëve arsimor dhe kërkuan që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejt që të dilet nga kjo situatë. Njëzëri u pajtuan që të mos preken zërat buxhetor, konkretisht në kategoritë tjera sepse do të shkaktonte edhe më shumë probleme, me që komuna e Vitisë e ka planifikimin e pagave ashtu siç edhe parashihet.
Kryetari Haliti theksoi se kjo situatë e krijuar është rezultat që ka të bëjë më shumë me tendenca politike të disa individëve që mundohen ta paraqesin komunën e Vitisë me një imazh jo të mirë.
Ai iu bëri thirrje gjithë mësimdhënësve të vazhdojnë me punë normalisht sepse do të gjendet zgjidhja së shpejti dhe ata do ti marrin pagat e muajit të kaluar. /2LONLINE/