Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka pritur në takim Zëvëndësministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahinin.
Kastrati bashkë me zëvëndësministren Shahini kanë vizituar Gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë dhe bashkë me stafin dhe nxënësit kanë shkëmbyer përvojat në aspektin e arsimit.
Gjatë takimit është diskutuar për kurrikulën shkollore dhe mundësitë e shkëmbimit të teksteve mes Kosovës e Shqipërisë.
Sipas kryetarit Kastrati, shkëmbimi i teksteve shkollore mes dy shteteve do t’i ndihmonte arsimit jashtzakonisht shumë.
“Gjithashtu, diskutuam për binjakëzimin e shkollave me mundësi që nxënësit të kryejnë një pjesë të shkollimit të mesëm në Shqipëri e Kosovë”, tha ai.
Ndër të tjera, i pari i komunës tha se takimet e këtij niveli do t’i bëjnë më të shpeshta, në mënyrë që të rritet bashkëpunimi në të gjitha fushat mes Kosovës e Republikës së Shqipërisë.