Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Pasi e falënderoi për vizitën, kryetari Hyseni ka thënë se njëra nga temat kryesore e takimit ka qenë fusha e ambientit dhe e menaxhimit të mbeturinave.
“Njëra prej temave kryesore që kemi diskutuar është fusha e ambientit dhe e menaxhimit të mbeturinave, pasi që partner i afërt i bashkëpunimit tonë është edhe organizata gjermane GIZ. Kemi biseduar hollësisht për mundësitë e bashkëpunimit në mes të Komunës së Gjilanit dhe, potencialisht, të ndonjë qyteti të Gjermanisë, ku ne i marrim praktikat dhe të njëjtat i implementojmë në Gjilan”, ka thënë kryetari Hyseni.
Kreu i Komunës tha se e ka njoftuar ambasadorin Rohde edhe për projektet të cilat janë duke i zhvilluar tash në Gjilan, duke filluar prej zonës ekonomike, agro-turizmit etj.
“Interesi ynë i veçantë dhe i jashtëzakonshëm është që të mundohemi që të gjejmë partnerë sa më shumë në zhvillim të qytetit e regjionit tonë. Interesimi edhe i Ambasadës së Gjermanisë, por në përgjithësi i partnerëve tanë ndërkombëtarë, është që të ndihmojnë kudo që kemi projekte të mirëfillta, të qëndrueshme dhe të detajuara në shërbim të komunitetit”, ka shtuar kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe ofrimin e gatishmërisë së bashkëpunimit, duke shtuar se mezi pret që të jenë partnerë të Komunës në projekte si: menaxhimi i mbeturinave, zhvillimi turistik apo zhvillimi ekonomik.
“Për mua ishte hera e parë që e vizitoj Gjilanin. Siç na informoi dhe Kryetari për projektet në vazhdim dhe sfidat për qytetin, unë mora gjithashtu disa lajme që nuk i dija më parë. Që ju keni edhe atraksione turistike në zonën tuaj, një kala të cilën ndoshta do ta vizitojë së shpejti. Edhe zhvillimi ekonomik është shumë i rëndësishëm, veçanërisht që të rinjtë e Gjilanit të qëndrojnë këtu. Kuptova, gjithashtu, se keni plane shumë ambicioze për të krijuar hapësira urbane në qytet, gjithashtu së bashku edhe me institucionet gjermane”, ka deklaruar pas takimit ambasadori Rohde. /2LONLINE/