“Konkurrueshmëria në Evropën Juglindore”, Krasniqi: Përmes këtij raporti vlerësohet përparimi i reformave të politikave pro-konkurruese në krahasim me vendet e Ballkanit.
Përmirësimi i konkurrueshmërisë është një ndër elementet kryesore për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, u tha në prezantimin e raportit “Konkurrueshmëria në Evropën Juglindore: Pikëpamja për politikat 2018”, publikim i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) rreth politikave ekonomike në rajonin e Evropës Juglindore.
Arbëreshë Krasniqi, ushtruese e detyrës së ministres në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha se dokument i cili përmban 17 fusha apo dimensione të plotësuara mes aktereve të Kosovës dhe përfaqësueseve të OECD, është një nga publikimet kryesore të OECD-së dhe një nga vlerësimet më të gjera të politikës ekonomike në rajonin e Evropës Juglindore.
“Ky publikim përcakton një agjendë të qëndrueshme të reformës strukturore për konkurrencë më të madhe ekonomike në Evropën Juglindore dhe mbështet dokumentet dhe proceset e tjera strategjike siç janë Raportet e Progresit të Komisionit Evropian dhe Programet e Reformës Ekonomike”, tha Krasniqi.
Krasniqi vlerësoi se përmes këtij raporti mund të vlerësohet përparimin e reformave të politikave pro-konkurruese në krahasim me vende të Ballkanit Perëndimor si: Shqipëria, Bosna dhe Hercegovina, Maqedonia, Seria dhe Mali i Zi, në 17 fusha të politikave, si në ato të: investimeve dhe promovimit, politikave tregtare, qasjes në financa, politikave fiskale, të konkurrencës, ndërmarrjet shtetërore, arsimi dhe kompetenca, politikat e punësimit, shkencë teknologji dhe inovacion, shkenca digjitale, transporti, energjia, politikat e ambientit, bujqësia, turizmi, shërbimet publike dhe politikat anti korrupsion.
“MTI përmes KIESA-s si koordinatori të këtij procesi në bashkëpunim me institucionet qeveritare dhe joqeveritare ka bërë grumbullimin e të dhënave dhe takimeve bashkërenduese në secilën nga përfaqësuesit e institucioneve të involvuara në këto procese. Informacionet e mbledhura janë dërguar përfaqësueseve të OECD ku edhe janë bërë vlerësimet nga ana tyre. Tanimë jemi në fazën e publikimit të raportit 2018, të cilin nëse e krahasojmë me atë të fundit të publikuar në vitin 2016 del që ka treguar progres, mirëpo prapë se prapë mbetet shumë për t’u bërë në implementimin e këtyre politikave. Ne njëherit i sigurojmë përfaqësuesit e OECD se do të angazhohemi në maksimum për implementimin e rekomandimeve e sidomos të atyre që kemi ngecje dhe me shpresë se në publikimin e radhës do të jemi në nivel më të lartë sesa në këtë vit”, tha Krasniqi.
Ushtruesja e detyrës së ministres, Arbëreshë Krasniqi tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes programeve konkrete vazhdon të punojë në ngritjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve kosovare.
“Si akter i drejtpërdrejtë në rezultatet dhe rekomandimet e publikimit, me kënaqësi e shfrytëzojmë këtë mundësi t’ju urojmë mirëseardhje në këtë ngjarje. Nga të pranishmit, presim që në fund të këtij takimi të marrim rekomandimin e publikimit me qëllim të përmirësimit të dimensioneve për aty ku mund të jeni evidentuar hapësira për përmirësim”, tha ajo.