“Nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa sektor privat të fuqishëm. Ky ishte konkluzioni i përbashkët që doli nga diskutimet që pata në Gjilan me ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve, ku u njoftova me sfidat e tyre të përditshme, sidomos tani në këtë periudhë të krizës ekonomike”.
Kështu është shprehur, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, gjatë qëndrimit në Gjilan ku është takuar me ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve, e ku, sipas tij, shteti duhet të ketë rolin e vet vetëm si partner dhe krijues i kushteve më të mira për bizneset të cilat duke u rritur e forcuar, krijojnë vende pune të qëndrueshme me paga dinjitoze.
Postimi i plotë:
Nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa sektor privat të fuqishëm.
Ky ishte konkluzioni i përbashkët që doli nga diskutimet që pata në Gjilan me ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve, ku u njoftova me sfidat e tyre të përditshme, sidomos tani në këtë periudhë të krizës ekonomike.
Ata ndanë shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore, sepse shumë profesionistë po e lënë Kosovën në mungesë të perspektivës në vend.
Ky fakt, përveç i dhimbshëm, është edhe shqetësues. Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur. Keqqeverisja dhe trajtimi armiqësor ndaj bizneseve, po i dekurajon ndërmarrësit.
Kjo politikë i ka larguar edhe ata pak investitorë të huaj që kishin filluar ta shohin Kosovën si vend potencial për investime.
Shteti duhet të ketë rolin e vet vetëm si partner dhe krijues i kushteve më të mira për bizneset të cilat duke u rritur e forcuar, krijojnë vende pune të qëndrueshme me paga dinjitoze. /2LONLINE/