Ndonëse Lëvizja Qytetare Vatra do të jetë e përfaqësuar me një anëtar në Kuvendin Komunal të Gjilanit, që do të themelohet pas zyrtarizimit të rezultateve nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit, megjithatë duket se rezultatet që kishte arritur ky subjekt, nuk ishin ato të pritura dhe madje për dikë edhe zhgënjyese.
Ditë më parë, Portalit 2LONLINE, zëdhënësi i deridjeshëm Fikri Mehmeti, ia kishte kumtuar aktin e dorëheqjes dhe largimit nga ky subjekt dhe nuk kishin munguar as kritikat e tij dhe pakënaqësitë për zhvillimet në këtë subjekt politik, që e kishin detyruan të largohet.
Por, tani zëdhënësi i ri i Vatrës, Mervan Kqiku, thotë për 2LONLINE, se Mehmeti ka qenë i shkarkuar nga pozita e zëdhënësit dy muaj më parë dhe se kritikat e tija kundrejt Vatrës, subjektit të deridjeshëm të tij, janë të pavenda.
Duke iu referuar kritikave të Mehmetit, zëdhënësi i tanishëm i Vatrës, Mervan Kqiku ka kujtuar fjalën e urtë popullore “Fjalët e hallkut dhe birat e gardhit nuk mshelen”.
Lexo edhe: Ish zëdhënësi i Vatrës largohet nga ky subjekt politik
“Sa i përket deklaratave që Fikri Mehmeti i ka dhënë mediumit tuaj, e që ka thënë për Vatrën se kinse ai e ka riformatizuar dhe e ka ringritur nga një shkatërrim total që iu ishte bërë, kjo nuk qëndron aspak. E vërteta është që ai ishte shkaktar për disa zhvillimeve jo të duhura në Vatër dhe jo që e ka ngritur. Madje shkaku i tij kanë ikur nga partia shume bashkëthemelues te saj”, ka thënë Kqiku.
Ai tha tutje se pikërisht kur erdhi në Lëvizjen Qytetare Vatra, Mehmeti u ngrit politikisht.
“Ftojmë qytetarët që t’i bashkohen Vatrës sepse aty dëgjohen, diskutohen problemet e qytetarëve dhe angazhohemi dhe mundohemi të gjejmë zgjidhje për to”, ka thënë Mervan Kqiku, zëdhënës i tanishëm i Lëvizjes Qytetare Vatra.