Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, e cila u mbajt nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal raportin e Kryetarit të Komunës për vitin 2020, raportin financiar për vitin 2020, propozim vendimi për bartjen e mjeteve financiare të pashpenzuara nga vitet paraprake në vitin 2021, kodin e etikës për institucionet edukativo-arsimore, kërkesën për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për ndarjen e 200 bursave për studentë për vitin akademik 2019/2020, propozimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z. Marin Mema si dhe informatën për manifestimin “Flaka e Janarit” 2021.
Në raportin e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri nënvizohet angazhimi dhe sfidat për ruajtjen e shëndetit publik dhe shëndetit të ekonomisë në kushtet e pandemisë, duke konstatuar se fatkeqësisht, ekonomia e Gjilanit ka humbur mbi 800 vende të punës në këtë periudhë.
Kurse sa i përket vendimit për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara nga vitet paraprake në vitin fiskal 2021, në shumë prej 695.723 euro, Nevzad Isufi (VV) ka thënë se me këto mjete do të duhej të ndihmoheshin familjet e prekura nga COVID19.
Kërkesa e Drejtorisë së Arsimit për rritjen e numrit të bursave, duke marrë parasysh gjendjen në kushte pandemi si dhe faktin se shumica e studentëve të refuzuar i kishin plotësuar kushtet, është mirëpritur nga KPF.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit ka thënë se bëhet fjalë për shtim të numrit të bursave për studentët e Gjilanit, të cilët studiojnë në universitete dhe kolegje jashtë komunës, apo brenda komunës.
“Përndryshe, komuna e Gjilanit, edhe ashtu, me 200 bursa të ndarë më herët, ishte kampion sa i përket përkrahjes për studentë, ndërkohë që këtë numër tani do ta çojë në 253 bursa”, thuhet në komunikatën e komunës. /2LONLINE.com/