Kosova do t’ju hyjë ndeshjeve të 7 dhe 10 shtatorit me mungesa të mëdha, ndaj dy kundërshtarëve të ardhshëm të kualifikimeve për Euro 2020, Republikës Çeke dhe Anglisë.
“Dardanet” do të zhvillojnë ndeshje të shtatorit me disa mungesa të rëndësishme, përfshirë këtu Hekuran Kryeziun, Arbër Zenelin dhe me gjasë edhe Valon Berishën.
Trajneri i Kosoves, Bernard Challandes, thotë se ka në dispozicion mjaft lojtarë cilësorë, të cilët mund t’i mbulojnë mungesat.
Gjithashtu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në shtator të ketë edhe ndonjë prurje.
“Ne duhet ta shohim tash, pa Zenelin, pa Kryeziun, pa Valon Berishën, duhet të gjejmë zgjidhje në mesfushë. Do ta shohim se kush është në formë dhe më pas të vendosim”, ka thënë fillimisht Challandes.
“Nuk e di nëse në shtator do të ketë ndonjë lojtar të ri. Ne kemi nevojë për lojtarë shumë, shumë, shumë të mirë. Do t’i kërkoj lojtarët më të mirë që duan të luajnë për Kosovën. Unë i vëzhgoj të gjithë kandidatët, se cilët po luajnë mirë tash, kam respekt për të gjithë lojtarët që kanë luajtur deri tash. Ky është ekip kombëtar dhe të gjithë duhet ta pranojnë konkurrencën. Dhe, nëse kemi konkurrencë në disa pozita, kjo është e mirë. Ideja është që të përparojmë si ekip. Ekipi kombëtar është i hapur për çdo lojtar të mirë”, ka shtuar trajneri zviceran.
Pasi shkëlqeu në Ligën e Kombeve, ku është kualifikuar në gjysmëfinale, Kosova e nisi mjaft mirë edhe kampanjën kualifikuese të Euro 2020, ku ka grumbulluar 5 pikë nga 3 ndeshje dhe e zë vendin e tretë prapa liderëve Anglia e Republika Çeke, me të cilat do të përballet në shtator.
Kosova nuk di për humbje që nga pjesa e dytë e vitit 2017, respektivisht pas 14 ndeshjesh, përfshirë këtu Ligën e Kombeve, kualifikimet e Euro 2020 dhe miqësoret.