Me fitore të thellë ka përmbyllur Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll paraqitjen në kampionatin botëror në Spanjë.
Kombëtarja e Kosoves në Pontevedra u takua me Australinë dhe fitoi me rezultat bindës, 38:20. Ndaj Australisë lojtar i ndeshjes u shpall Albin Xhafolli.
Është kjo hera e parë që një ekip kombëtar i Kosovës në sportet ekipore ka arritur të kualifikohet në botëror, njofton FHK.
Ndeshja ishte për vend të 23-të që i takon kombëtares. Kosova kishte siguruar biletën e fundit për botëror, ndërsa në Spanjë la përshtypje shumë të mirë në ndeshjen e parë me Kroacinë, ndaj të cilës ishte rival i barabartë.
“Grupi i Kosovës ishte shumë i fortë dhe kështu kalimi i tij me sukses ishte vështirë i arritshëm. Pos me Kroacinë, kombëtarja jonë ka humbur edhe me Hungarinë, Portugalinë dhe Brazilin.
Në fund barazoi me Bahrejnin për pikën e parë në botëror. Të mërkurën djemtë tanë nuk e kishin ditën dhe humbën nga Argjentina në ndeshjen e parë për plasman. Të enjten ndaj Australisë ishin bindës.
Për nga cilësia, Kosova qëndron më mirë se 4-5 kombëtare që do të renditen më lart se ne. Por mungesa e përvojës në këtë nivel dhe grupi i fortë kanë bërë të veten. Poashtu edhe sistemi i garës dhe paraqitja jo në nivelin e synuar në disa takime.
Gjithsesi botërori është përvojë me rëndësi për këta djemë e poashtu për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi.
Të kujtojmë që në Spanjë jemi prezentuar me të gjitha simbolet. Himni shtetëror është intonuar para çdo ndeshje e poashtu flamuri shtetëror i Kosovës është i shfaqur në palestrat në Pontevedra dhe Vigo”, thuhet nw njoftimin e FHK-sw.