Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka triumfuar në turneun ndërkombëtar të zhvilluar në Sofje. Në ndeshjen finale, Dardanet kanë mposhtur Bullgarinë, me rezultat të ngushtë, 1:0, njofton faqja zyrtare e FFK-së.
Paraprakisht me të njëjtin rezultat në gjysmëfinale, Kosova kishte fituar ndaj Letonisë. Golin e fitores për Dardanet në ndeshjen finale e realizoi kapitenja, Erëleta Memeti, në minutën e 16-të pas një kundërsulmi të shpejtë.
Ajo si zakonisht e shfrytëzoi shpejtësinë e saj dhe me gjuajtje të saktë nga zona e dërgoi topin në portën kundërshtare.
Pas kësaj epërsie të përzgjedhurat e Anneli Anderson e menaxhuan mirë lojën.
Ato patën edhe disa raste tjera shënimi, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe kësisoj Koaova iu gëzua me plotë meritë triumfit në këtë turne.
Njëherësh Erëleta Memeti u zgjodh edhe lojtarja më e mirë e turneut. Këto dy ndeshje dhe ato të zhvilluara në muajin shkurt do t’i ndihmojnë kombëtares për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme kualifikuese, njofton faqja zyrtare e FFK-së. /2LONLINE/