DYLON

Kërkesat e shqiptarëve të Luginës nuk bën të injorohen

Kërkesat e shqiptarëve të Luginës nuk bën të injorohen
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ismajl Kurteshi

Shqiptarët autokton të Luginës së Preshevës të lodhur nga keqtrajtimet dhe padrejtësitë e Serbisë që nga viti 1912, u detyruan që edhe një herë, në fillim të këtij shekulli, t’i kapin armët për realizimin e të drejtave të tyre legjitime. Ata u pajtuan që ta ndërpresin luftën vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve të cilët premtuan të drejta për shqiptarët, të cilat i evidentuan në Marrëveshjen e Konqulit, të nënshkruara nga Shteti i Serbisë, përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë të shqiptarëve të Luginës, por të cilat Serbia kurrë nuk i realizoi.

EkoHigjiena

Injorimi i referendumit të vitit 1992 dhe marrëveshjes së Konqulit   të nënshkruar edhe nga ana e Serbisë në vitin 2001, i detyroi shqiptarët e Luginës ta hartojnë Platformën politike të vitit 2006, pastaj Planin Shtatë Pikësh të miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë, më 4 qershor 2013.

Me qëllim të realizimit të të drejtave të tyre, në vitin 2015 shqiptarët  ndërmorën iniciativën për formimin e asociacionit të komunave shqiptarët, por edhe kjo iniciativë mbeti pa përkrahje.

Duke mos hequr dorë nga realizimi i të drejtave të tyre, në mars të vitit 2023 përfaqësuesit institucional dhe politikë të Luginës së Preshevës dolën me kërkesën për përfshirjen e çështjes  së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë. 

Përfaqësuesit shqiptarët po kërkojnë nga Qeveria e Serbisë implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tash, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, ndaljen e shlyerjes së adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe rishqyrtimin e dokumenteve të pasivizuara.

Shqiptarët e Luginës thjesht po kërkojnë të ndërpritet diskriminimi i tyre nga ana e shtetit serb, po ashtu po kërkojnë që të drejtat e tyre të jenë në nivelin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Kërkesa këto që askush nuk ka mundësi t’i kundërshtojë.

Deklarimet e ndërmjetësuesëve në dialogun Kosovë – Serbi, se në marrëveshjen aktuale që po diskutohet në Bruksel nuk mund të futen elemente të reja, si ajo e Luginës, e pengojnë normalizimin e marrëdhënieve  në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan sepse reciprociteti është element bazë për arritjen e marrëveshjes në çdo situatë dhe nuk mund të konsiderohet si element i ri.

Shqiptarët e Luginës janë faktor i rëndësishëm që mund të ndikojnë në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy popujve, por normalizimi do të ndodh vetëm atëherë kur kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës  të plotësohen nga Serbia.

Shteti i Serbisë, që po udhëheq politikë jo parimore nuk do t’i realizojë kërkesat e drejta të shqiptarëve, derisa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po angazhohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, të angazhohen edhe për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.