Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ambasadorë e përfaqësues fetarë, mori pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për liritë fetare.
Me këtë rast para pjesëmarrësve, kryetari Konjufca theksoi se feja dhe religjioni e kanë ndjekur njerëzimin gjatë gjithë historisë dhe se ato janë pjesë të pandashme të kujtesës kolektive.
Shoqëritë demokratike bashkëkohore, shtoi kryetari Konjufca, gjithmonë janë pro respektimit të religjionit, për faktin se religjioziteti konsiderohet një mozaik kulturor dhe shoqëror që buron nga shoqëria.
Po ashtu, kryetari Glauk Konjufca tha se praktikimi i religjionit, i ritualeve, shfaqja publike dhe respektimi i tij, janë të garantuara edhe me të drejta dhe standarde ndërkombëtare, por edhe përmes kushtetutave dhe ligjeve të veçanta të shteteve ku praktikohen ato besime fetare.
Kreu i Kuvendit theksoi se edhe shteti ynë, me demokraci parlamentare e sistem pluralist, garanton dhe respekton liritë dhe të drejtat fetare.
“Kosova si vend demokratik e pluralist respekton liritë dhe të drejtat fetare dhe këtë tashmë ne e kemi të kodifikuar përmes Kushtetutës sonë dhe Ligjit për liritë fetare”, theksoi kryetari Konjufca
Tutje, i pari i legjislativit, duke iu referuar historisë së bashkëjetesës ndërmjet feve dhe religjioneve në vendin tonë, vuri në pah harmoninë ndërfetare, duke potencuar se jemi shembull që duhet ndjekur.
“Ne si popull i Kosovës jemi shembulli më i mirë, por edhe dëshmitarë të historisë, se kemi qenë urë lidhëse mes diversiteteve fetare dhe po ashtu asnjëherë nuk kemi pasur konflikte të karakterit fetar. Jemi shembull shumë i mirë për tu globalizuar”, tha kryetari i Kuvendit.
Lidhur me propozimin e Qeverisë për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit aktual për liritë fetare, kryetari Konjufca theksoi se është e rëndësisë së veçantë të bëhet ky ligj, sepse sipas tij, bashkësive fetare në Kosovë deri më tani u ka munguar statusi juridik.
“Është me rëndësi të bëhet ky ligj, sepse për bashkësitë fetare ka munguar personaliteti i tyre juridik, zotësia juridike për t’i ushtruar disa të drejta të tyre fundamentale”, theksoi kryetari Glauk Konjufca. /2LONLINE/