Nën organizimin e departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, nën masat kufizuese anti-covid, sot u mbajtë sesioni kryesor i Konferencës “FSK dhe partnerët 2020.
Morën pjesë atashe të mbrojtjes rezidentë dhe jo-rezidentë të akredituar për Kosovë nga vendet partnere si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Shqipëria, Kroacia, Italia, Turqia, Franca, Holanda, Japonia, Çekia, Hungaria, Maqedonia, si dhe përmes lidhjes së video-konferencës pjesëmarrës ishin edhe atashetë e mbrojtjes nga Sllovenia dhe Mali i Zi.
Në konferencë morën pjesë: ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Sadika Kofrc, zëvendësministri i Mbrojtjes, Muhametalli Mergjollar, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Faruk Geci, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Frank Best, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Gunter Schopf, atashetë e mbrojtjes së Kosovës si dhe oficerët dhe zyrtarët tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së, KFOR-it dhe NALT-it.
Konferencën e shpalli të hapur, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e veçantë të konferencës duke pasur parasysh periudhën intensive të aktiviteteve përmbyllëse të vitit të dytë të tranzicionit dhe objektivat e tij për vitin pasues.
Duke vlerësuar rëndësinë e madhe të konferencës tashmë tradicionale, ministri Quni nënvizoi se “konferenca e sotme është momenti i duhur për të vlerësuar të arriturat tona të deritashme dhe për të përcaktuar projektet tona të përbashkëta për të ardhmen e FSK-së”.
Ai më pas theksoi se këto të arritura i atribuohen mbështetjes së madhe të partnerëve tanë dhe bashkëpunimit të fuqishëm me ta.
”Gjithçka që kemi arritur deri më tani është fal mbështetjes suaj dhe për këtë u jemi mirënjohës përgjithmonë. Sfidat e sigurisë, respektivisht kërcënimet dhe rreziqet aktuale vazhdojnë të mbeten sfida të përbashkëta andaj edhe kërkojnë reagimin tonë të përbashkët. Këtë e dëshmoi edhe kriza aktuale globale që shkaktoi pandemia COVID-19 e cila domosdoshmërisht shfaqi nevojën për reagimin tonë të përbashkët.” tha ai.
Ministri Quni, gjithashtu theksoi se bashkëpunimi bilateral me ministritë dhe forcat e vendeve partnere, NALT-in, KFOR-in dhe partneriteti i ngushtë me Gardën Kombëtare të Iowa-s, janë dëshmuar në të gjitha dimensionet, tregime të sukseseve të mëdha me perspektivë të qartë zhvillimore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në.
“Politikat tona të mbrojtjes mbështeten fuqishëm mbi parimet , vlerat dhe standardet më të larta të NATO-s. Kjo nënkupton vullnetin dhe gatishmërinë tonë për ofrimin e kontributin tonë në partneritetin të ngushtë me ju për pjesëmarrje në operacione të përbashkëta shumëkombëshe humanitare dhe paqeruajtëse.” tha në fund ministri Quni.
Nga ana tjetër, gjeneral Rama, në fjalën e tij, shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe të vendeve partnere për të arriturat e deritashme në të gjitha fushat dhe nivelet e zhvillimit dhe funksionimit të FSK-së.
“FSK ka nderin të jetë institucioni më i besuar në Kosovë për shumë vite me radhë. Merita e kësaj arritjeje ju përket juve. Falë mbështetjes suaj, FSK-ja sot është më e përgatitur për të mbështetur autoritetet civile dhe ndihmuar qytetarët e Kosovës, si dhe e gatshme për të dhënë kontributin e saj në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha ai.
Për periudhën në të cilën zhvillohet procesi i tranzicionit të FSK-së, gjeneral Rama, vlerësoi jetike mbështetjen nga partnerët me eksperiencën e tyre si dhe koordinimin e duhur të aktiviteteve dhe realizimin e tyre të suksesshëm për të përmbushur objektivat e përbashkëta.
“Vetëm duke punuar së bashku ne mund të fuqizojmë dhe promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe botë.” tha në fund gjeneral Rama.
Konferencën e përshëndetën edhe gjeneral Best në emër të NALT-it dhe gjeneral Schopf në emër të komandës së KFOR-it. Të dy, vlerësuan lart të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm në përmbushjen e detyrave dhe aktiviteteve të përbashkëta. Zotimet për fuqizimin e partneritetit edhe në të ardhmen i prezantuan në fjalimet e tyre edhe atashetë pjesëmarrës nga vendet partnere.
Në vazhdim të punimeve të konferencës, sipas agjendës së përcaktuar, oficerët e FSK-së: kolonel Ejup Maqedonci, kolonel Haki Hoti, kolonel Agron Bajrami dhe major Dedë Hyseni prezentuan : bashkëpunimin ndërkombëtar, procesin e tranzicionit të FSK-së, planin zhvillimor të FSK-së 2021-23, procesin e menaxhimit të krizës së pandemisë COVID-19 si dhe gamën e operacioneve, shkollimeve, trajnimeve dhe stërvitjeve të FSK-së.
Në sesionin e nesërm, për të finalizuar punimet e konferencës, në takime të ndara do të realizohen takimet bilaterale veç e veç në mes delegacioneve të FSK-se dhe delegacioneve të vendeve partnere për të analizuar dhe vlerësuar fushat në të cilat nevojitet mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale për periudhën 3-vjeçare me finalizimin e planeve bilaterale për vitin 2021 dhe draftimin e koncept-planit për periudhën pasuese.