/2L ONLINE/ – Ndonëse në disa lokalitete të komunës së Vitisë është i shtrirë rrjeti i kanalizimit, megjithatë ka ende shumë lagje dhe ekonomi familjare, të cilat nuk janë kyçur në rrjetin e kanalizimit. Kjo gjë i ka shtyrë autoritetet komunale të Vitisë, që të marrin masa që me një projekt konkret të eliminojnë këto probleme dhe të bëhet një zgjidhje për qytetarët vitias. Implementimi i këtij projekti ka filluar sot dhe me të do të bëhet kyçja, përmirësimi dhe rregullimi i rrjeteve të kanalizimit në qytetin e Vitisë, e gjithashtu edhe në disa lokalitete të tjera të kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe inxhinier të komunës, kanë vizituar sot fshatrat Pozheran dhe Tërpezë për të parë nga afër punët që kanë filluar në rregullimin e kanalizimit. Kryetari Haliti ndër tjerash tha se ai mbetet i përkushtuar të krijoj një mjedis sa më të mirë për gjithë qytetarët e komunës së Vitisë .
“Ne si qeveri komunale, jemi të përkushtuar të punojmë në të mirën e qytetarëve tanë. Sot po fillojnë punët në realizimin e Projektit kryesor të rregullimit të kanalizimeve, projekt ky që do të zgjidh shumë probleme, me të cilat janë ballafaquar qytetarët tanë me ujërat e zeza. Për kundër se kemi një buxhet të limituar , ne po bëjmë përpjekje të krijojmë një mjedis sa më të mirë në të gjitha lokalitetet e komunës sonë pa dallime”, u shpreh kryetari Haliti./2L ONLINE/