Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut është shënuar edhe në Komunën e Kamenicës, ku është organizuar një takim nga Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë takim panelistë ishin Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati, Zyrtari Ligjor pranë Institucionit të Avokatit të Popullit Shemsedin Mustafa, Koordinatorja e NJKDNJ-së Nazmije Demolli-Kastrati, poashtu edhe qytetarë të Kamenicës, të cilët kishin mundësi të bënin pyetje.
Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati, në fjalimin e tij në këtë takim ka thënë se nëse nuk i dimë të drejtat tona do të jetë e vështirë të dalim nga problemet me të cilat përballemi.
“Në shoqërinë kosovare ka vakum të aplikimit të ligjit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut, nëse duam të krijojmë shtet ligjor dhe shoqëri të drejtë atëherë nuk ka hapësirë të themi nuk e kemi ditur. Vazhdojmë të kemi dallime të mëdha në mirëqenie ekonomike ta zëmë. Dhuna në familje, korrupsioni, keqpërdorimi i pozitës zyrtare, varfëria, papunësia, të gjitha këto ndikojnë që dikujt t’i shkelet e drejta. Andaj, është e rëndësishme që të gjithë të jemi të vëmendshëm, por edhe të trajtojmë tjetrin me dinjitetin që e meriton”, ka thënë mes tjerash Kastrati.
Ndërkaq Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli-Kastrati tha se në Kamenicë organizohen aktivitete të ndryshme për të shënuar këtë ditë. Demolli-Kastrati theksoi se sikurse në gjithë vendet e botës edhe në Kosovë shkelen të Drejtat e Njeriut.
“Në gjithë botën të drejtat e Njeriut shkelen, por edhe tek ne. Kosova sa i takon infrastrukturës ligjore, nuk qëndron asgjë më keq sesa Gjermania, Finlanda, Danimarka, Suedia e vendet më të zhvilluara. Ndërsa, sa i takon zbatimit, ndoshta nuk do të mund të krahasohet as me një shtet mesatar diku në botë”, shtoi ajo.
Ndërsa, Shemsedin Mustafa, Zyrtar Ligjor në IAP theksoi se me Komunën e Kamenicës, përkatësisht NJKDNJ-në, ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ai diskutoi aspektin ligjor sa i përket të Drejtave të Njeriut si dhe iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve.
Përveç këtij takimi, gjatë kësaj dite janë shpërndarë edhe fletëpalosje me informacione sa i përket të Drejtave të Njeriut dhe Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të përagditur nga Koordinatorja e NJKDNJ-së.