Drejtoria për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat e Komunës së Kamenicës ka njoftuar se është bërë sekuestrimi i dy kamionëve dhe një ekskavatorI të regjioneve të tjera të Kosovës, të cilët kanë qenë duke kryer aktivitet të jashtëligjshëm në fshatin Krilevë.
Sipas kësaj drejtorie, pajisjet e sekuestruara janë përdorur për bartjen e sasive të mëdha të gurit, lëndë e parë kjo e cila më pas është përdorur për shtrimin e rrugëve në territorin e Komunës së Prishtinës.
“Inspektorati komunal ka vepruar duke u bazuar në kornizën ligjore të vendit, më saktësisht nenit 70 të Ligjit Nr.03/L-163 për Miniera dhe Minerale, i cili urdhëron që të ndërpritet menjëherë aktiviteti i jashtëligjshëm minerar si në këtë rast, pasi që operatori nuk posedon licencë apo leje të lëshuar nga Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve, si dhe që të bëhet sekuestrimi i përkohshëm i mjeteve të punës”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se të gjitha këto procedura janë bërë nga Inspektorati Komunal, dhe pritet që të procedohet edhe më tej gjithnjë mbështetur në kornizën e KPMM-së.
“Inspektorati komunal siguron se veprimtari të tilla të jashtëligjshme të cilat realizohen në territorin e Komunës së Kamenicës, do të ndalohen dhe orientohen në organet e tjera kompetente”, thuhet në fund të njoftimit. /2LONLINE/