Gjykata e Apelit në Prishtinë ka hedhur poshtë kontestin gjyqësor të ngritur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, për vërtetimin e pronësisë së ngastrave që kanë qenë në shfrytëzim nga Kooperative Bujqësore “Agroprodukti”.
Gjykata e Apelit e ka cilësuar si të pabazuar ankesën e AKP-së, me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se N.Sh. Kooperativa “Agroprodukti”, është pronare e ngastrave kadastrale apo siç njihet ndryshe Bahqja në Kamenicë.
“Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktvendimin e atakuar, në mbështetje të dispozitës së nenit 194,208 dhe 209 të Ligjit të Procedurës Kontestimore (LPK), ka gjetur se ‘Ankesa e paditëses është e pabazuar”, thuhet në aktgjykimin e lëshuar nga Gjykata e Apelit të Kosovës në Prishtinë.