“Në buxhetin e planifikuar 5 milionësh për investime kapitale, Komuna i fshehë përfituesit”

“Në buxhetin e planifikuar 5 milionësh për investime kapitale, Komuna i fshehë përfituesit”

Edhe ai pak buxhet i planifikuar për shpenzime kapitale, prej 5 milion e 82 mijë euro (19,92%, nga buxheti i përgjithshëm prej 25 milion e gjysmë i planifikuar i Komunës së Gjilanit për vitin fiskal 2019), prapë nuk dihen përfituesit e këtyre investimeve.

Shkruan: Shefik Surdulli

Në propozim – buxhetin e Komunës për vitin fiskal 2019, i cili, në seancën e djeshme të KK në Gjilan, u kundërshtua dhe si i tillë nuk u votua nga opozita (përjashto NISMA-n!), Komuna kishte ofruar një draft-buxhet, pa i specifikuar përfituesit, pothuajse askund.

Ta zëmë, për asfaltim të rrugëve në qytet dhe fshatra, janë planifikuar 410 mijë euro, pa dhënë informacion se cilat rrugë do të asfaltohen dhe në cilat lokalitete. Kështu është edhe me planifikimin buxhetor, që Komuna nuk e bënë të ditur destinimin e këtij buxheti, si: në shërbime publike, infrastrukturë dhe banim (të planifikuara 1,870,000 €); në rregullimin e infrastrukturës nëntokësore (300,000 €), etj.

Në këtë projekt – buxhet, komuna ka paraparë edhe 350,000.00 € për sanimin e rrugëve, trotuareve në qytet dhe fshatra, pa dhënë asnjë informatë, edhe këtu, se për cilat rrugë në qytet dhe në cilat fshatra është ky destinim. Pra, komunës së Gjilanit më shumë po i kushton eliminimi i plasaritjeve dhe degradimit të rrugëve të asfaltuara, si pasojë e cilësisë mjaftë të dobët të punës, se sa vet kostoja e projekteve investive.

Përkundër kësaj, Komuna prapë është kujdesur që edhe kësaj herë të mos i lë keq “mbikëqyrësit” për zbatimin e këtyre projekteve . Për këtë ajo ka planifikuar jo më pak se 100,000.00 €.

Prandaj, edhe për këtë ngrita shqetësimin tim në séance e djeshme se, cili na qenka roli i mbikëqyrësit, pse paguhen ata, kur menjëherë pas përfundimit të asfaltimit të rrugëve, ato plasariten dhe bëhen për intervenim – arnim të domosdoshëm, bëhen “për ilaç”!?

Prandaj, me të drejtë konstatojmë për një papërgjegjësi të skajshme të këtij pushteti edhe në menaxhimin e investimeve.

/autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e PDK-së/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE