Kompania “Tiks.app” që bën shitjen e biletave online për ndeshjet të cilat Përfaqësuesja e Kosovës i zhvillon në shtëpi ka dalë me një njoftim zyrtar për shitjen e biletave për ndeshjen Republika e Çekisë – Kosova.
“LAJMERIM: TIKS.app nuk është e autorizuar për shitjen e biletave te ndeshjes Rep.Çeke – Kosova”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.
Në anën tjetër, FFK ka njoftuar se biletat do të shpërndahen për sponsorët, bashkëpunëtorët, institucionet si dhe në fund familjarët e futbollistëve.
“Duke kuptuar interesimin e jashtëzakonshëm të publikut dhe tifozëve për ta mbështetur Kombëtarën e Kosovës në sfidën më të rëndësishme deri tani, atë kundër Republikës Çeke, Federata e Futbollit e Kosovës me keqardhje të thellë është e detyruar t’ u bëjë thirrje tifozëve që të mos bëjnë rezervime për fluturime dhe hotele, për shkak të numrit jashtëzakonisht të vogël të biletave që FFK-ja ka në dispozicion për këtë ndeshje.
Në bazë të nevojave, biletat që janë në dispozicionin tonë, do t’ u akordohen grupimit të tifoëzvë “Dardanët”, kurse pastaj në bazë të obligimeve kontraktuale që ka, FFK-ja do të ndaj bileta për sponsorët, bashkëpunëtorët, institucionet si dhe në fund familjarët e futbollistëve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Çekia – Kosova zhvillohet me 14 nëntor në Plzen, kurse pas tre dite Kosova në “Fadil Vokrri” e pret Anglinë.