Është mbajtur sot mbledhja e parë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) për vitin 2023, ku në rend dite ishin edhe pasqyrat Financiare të Buxhetit Komunal për periudhën janar-dhjetor 2022 e që ishte pjesa më e madhe e diskutimit.
Kryesuesi I Kuvendit Komunal Bekim Azizi, fillimisht ka falënderuar anëtarët e Kuvendit për angazhimin në seancat e mbajtura gjatë vitit të kaluar dhe ka kërkuar një angazhim më të madh dhe bashkëpunim gjatë këtij viti. Ai i njoftoj ata edhe për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të bërë nga niveli qendror për vendimet që janë nxjerrë në seancën e fundit të Kuvendit.
Megjithatë në fillim anëtarët e KPF-së kanë ngritur disa shqetësime si: përdorimi i narkotikëve në shkolla, mungesa e barnave esenciale, anulimi i tenderit për ndërtimin e shkollës së re në Pozharan dhe disa të tjera.
Në pikën e parë rreth pasqyrave financiare, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Besnik Imeri, njoftoi se gjatë periudhës janar-qershor 2022 janë inkasuar të hyra vetanake në vlerë prej 1.183.367 euro, apo shkalla e inkasimit, bazuar në planifikimin vjetor është 119,79 %. Krahasuar me të hyrat e vitit 2021, janë realizuar të hyra më të larta për 29.496 euro. Ndërsa, buxheti i alokuar për periudhën janar-dhjetor 2022, nga fondet burimore:Granti qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet janë kanë qenë 14.348.524 euro, ndërsa shpenzimet janë 14.093.852 euro. Shkalla e ekzekutimit të buxhetit për periudhën janar-dhjetor është 98,23 % në krahasim me alokimet me të gjitha programet dhe kategoritë ekonomike, ka thënë Imeri.
Ai po ashtu bëri të ditur se shpenzimet për investime kapitale të vitit 2022, janë më të larta për 893.133,54 euro në krahasim me shpenzimet e vitit 2021. Ndërkaq në këtë mbledhje nga ekzekutivi i pranishëm ishte edhe zv. kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu i cili për disa pika të rendit të ditës dha sqarime.
Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe propozim vendimi për caktimin e orarit të mbajtjes së takimeve të kuvendit të komunës së Vitisë për vitin 2023.
Propozim vendimi për aprovimin e planeve të punës për vitin 2023 të këtyre komiteteve: Komitetit për Shërbime Publike, Komiteti për Liritë të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komiteti për Planifikim Rregullim të Hapësirave dhe Mbrojtjen e Mjedisit, Komiteti për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport.
Ndërkaq jashtë rendit të ditës është shqyrtuar edhe votuar edhe Draft Plani i punës për vitin 2023 të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Përndryshe të gjitha pikat e paraparë për votim kanë marrë miratimin e këtij Komiteti dhe pritën të diskutohen dhe shqyrtohen në seancën radhës së Kuvendit Komunal të Vitisë. /2LONLINE/