Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, u shqyrtua në parim Projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, si nismë legjislative, e iniciuar nga deputetja Ganimete Musliu dhe tetë deputetë tjerë nga grupi parlamentar i PDK-së.
Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, sqaroi se projektligji është dërguar për mendim në Qeveri, mirëpo qeveria nuk ka kthyer ndonjë mendim, andaj sipas Rregullores së Kuvendit projektligji mund të fillojë shqyrtimin në komisionin përkatës.
Prezantimin e Projektligjit e bëri deputetja Ganimete Musliu, e cila pasi foli për domosdoshmërinë dhe qëllimin e këtij projektligji, shtoi se me këtë projektligj parashihet që policët të kenë pensionim të dinjitetshëm.
Për rëndësinë e një projektligji të tillë, foli edhe Enver Dugolli, i cili mes tjerash tha se kjo çështje parashihet të rregullohet me Ligjin e Pagave, ndërkaq shtoi se një ligj të tillë në Kuvend do ta sjellë qeveria, përkatësisht ministria e Financave.
Mirëpo, pas shterimit të diskutimit, kryetari Berisha e hodhi në votim propozimin për procedim të Projektligjit në shqyrtim të parë në seancë të Kuvendit dhe në votim morën pjesë vetëm pesë anëtarë të Komisionit.
Rrjedhimisht nuk pati vendimmarrje për këtë pikë. /2LONLINE/